Pas lajmit për shpërndarjen e Parlamentit, kisha një dilemë që po e ndaj me ju miq të dashur: më pak do të jetë demokratike Maqedonia pa LSDM-në në zgjedhjet e 5 qershorit, apo sikur ato të shtyheshin në afatin e rregullt – në pranverën e 2018-tës, ku askush pastaj nuk do të mund të parashihte se çka do të mund të ndodhte brenda kësaj periudhe kohore prej dy vitesh.
24 prilli dështoi për shkak se opozita maqedone (LSDM), me të drejtë, këmbëngulte se nuk janë pjekur kushtet e nevojshme për zgjedhje të lira e demokratike. Pastaj ato u shtynë dhe u vendos 5 qershori si afat optimal që do të nxirrte nga përdorimi të gjitha adutet dhe alibitë për ndonjë mundësi obstruksioni nga ana e pushtetit (VMRO e BDI).
Tash nuk e kam të qartë një gjë: kush po bën obstruksion – ata që kërkojnë zgjedhje e ikin nga to, apo ata që kishin e mund të kishin disa motive t’i shtyjnë zgjedhjet (që do të pasonte me shuarjen e Prokurorisë Speciale p.sh.), por megjithatë iu përmbajtën afatit të paraparë më 5 qershor.
Se pushteti nuk bën ka 1001 argumente që e dëshmojnë këtë, por askush deri më tani nuk po e thotë hapur se çfarë faji kanë gjithë qytetarët e Maqedonisë për mosgatishmërinë e LSDM-së që të shkojë në zgjedhje më 5 qershor. Qytetari i thjeshtë i Krivogashtanit, i Berovës, Kriva Pallankës etj. e ka vështirë ta lexoj këtë fizkulturë politike të LSDM-së, aq më tepër kur të gjithë ata që e mbështesin Zoran Zaevin duan një ditë e më pare ta heqin qafe Nikolla Gruevskin. Por, si? Duke ikur nga zgjedhjet? Apo, duke shpikur ndonjë skenar rezervë i cili do të ishte në kundërshtim me rregullat demokratike për rotacion paqësor të pushtetit.
Fatkeqësisht LSDM nuk është Vetëvendosje e Kosovës dhe nëse mendon se pushteti rrëzohet duke mrizua para ndërtesës së Qeverisë me tenda e fusha të improvizuara tenisi, ky është një autogol fatal për të dhe një favor shumë i fuqishëm për pushtetin e Gruevskit.
Po të isha qytetar me prejardhje etnike maqedone do ta pyesja publikisht Zoran Zaevin se kur është afati më i përshtatshëm që Maqedonia të shkojë në zgjedhje? Atëherë kur vërtetë do të pastrohen të gjitha anomalitë administrative, burokratike e teknike që përcjellin çdo proces zgjedhor (që është e pamundur të ndodh edhe në shtetet skandinave), apo atëherë kur anketat dhe hulumtimet e ndryshme do të ngrenë moralin politik të Zaevit në kuotat e besueshmërisë maksimale të qytetarëve. Nëse kjo e fundit, hëpërhë nuk po ndodhë, atëherë vetë opozita maqedone duhet të gjejë një zgjidhje që do të ishte adekuate për situatën: ose të kthejë Zaevin në Strumicë që të vazhdojë të merret vetëm me drejtimin e Komunës dhe me ndonjë brazdë të lënë përgjysmë në arë, ose të formojë një ekip të ri që do t’i jepte LSDM-së fytyrë të re, jo vetëm menaxhimi, por edhe një lidership që kauzat e veta opozitare nuk i projekton kryekëput mbi afera, “bomba”, skandale etj., por edhe mbi një ofertë konkurruese që do ta bënte qytetarin e thjeshtë maqedonas të mendojë gjatë kohë kur do të ndodhet para kutisë së votimit.
Mosgatishmëria e LSDM-së për të shkruar në zgjedhje, gjithsesi që është një lajm që nuk do të pritet mirë në Bruksel, por në anën tjetër selia e BE-së dhe NATO-s nuk do të mundet të penalizojë një proces të paralajmëruar zgjedhor, kur dihet që pikërisht diplomatët evropianë e amerikanë ishin ata që insistonin në tejkalimin e ngërçit politik përmes marrëveshjeve pozitë-opozitë dhe përmes një rruge normale që do t’i shpinte palët e konfrontuara në zgjedhje. Sepse, cili do të ishte treguesi tjetër që do t’i jepte dikujt të drejt të udhëheq vendin pas gjithë këtyre skandaleve, aferave e bombave, nëse këtë nuk mund ta bëjnë zgjedhjet, dhe cila opozitë normale në botë nuk do t’i përgjigjej pozitivisht ofertës për zgjedhje të parakohshme.
Zoran Zaevi dhe ekipi i këshilltarëve që e këshillojnë keq atë, si duket nuk kanë arritur t’i kuptojnë dy gjëra brenda kësaj periudhe kohore, prej Marrëveshjes së Përzhinos e këtej: e para – skema mentale e maqedonit të thjeshtë nuk ka gjasa të ndryshojë nëse nuk ndryshon qasja e kësaj partie opozitare ndaj problematikave që prekin jetën e përditshme të njerëzve; dhe, e dyta – diskursi anti-Gruevski nuk mundet të përkthehet në doktrinë politike, përderisa LSDM-ja nuk krijon strategji konkrete e cila do të operacionalizonte një plan afatgjatë veprimi, me çështje e kuadro që do të jenë shumë më të avancuara se partia oponente në pushtet.
Maqedonia do të shkojë në zgjedhje pa LSDM-në, kurse 5 qershori do të jetë lajmi më kontradiktor që do të përshkoj këtë proces. Por, kësaj radhe më kontradiktore e bën situatën një opozitë e papërgjegjshme e cila i lë qytetarët në pritje të vagonëve të zbrazur, ndërkohë që treni i pushtetit mund të duket paksa i çmendur në shpejtësinë e tij. Por, ai po shkon sipas një kursi normal që ia caktojnë itineraret demokratike.
Sa keq për ardhmërinë e një vendi kur stacionet e demokracisë ende i cakton pushteti (pa fajin e tij) e jo opozita dhe intelektualët e pavarur.