Nga: Daut Dauti
Në natën e 5 nëntorit të vitit 1605, një grup i katolikëve britanikë kanë tentuar ta hedhin në ajër Parlamentin Britanik dhe ta vrasin mbretin protestant, James I, në mënyrë që ta zëvendësojnë me një mbret katolik. Konspiracioni ka dështuar pasi që plani u zbulua dhe Guy Fawkes u zu me fuçitë e barotit që ishin vendosur në bodrumet e parlamentit që planifikoheshin të eksplodonin gjatë mbledhjes së deputetëve ku do të ishte prezent edhe mbreti.
Që nga ajo natë, ky veprim në Britani të Madhe është shndërruar në festë të rëndësishme e cila shënohet me ndezje të zjarreve të mëdha dhe me fishekzjarrë. Londra edhe sot ndriçohet tërë natën nga to. Fillimisht, ky veprim është shënuar si festë e dështimit të planit monstruoz dhe u ka shërbyer politikanëve protestantë që t’i shpeshtojnë veprimet anti-katolike.
“Remember, remember the 5th of November” (Kujtojeni, kujtojeni 5 nëntorin) është refreni që ka lindur atë natë dhe që citohet edhe sot. Por, kjo festë ka marrë karakter bizar për shkak se me fishekzjarrë del sikur që shënohet dhe madhërohet veprimi për shkatërrimin e parlamentit. Pra, festa është shndërruar në përkujtim të kundërt.
Gjatë tërë historisë, kjo ka qenë një temë tejet atraktive për shkrimtarët dhe lexuesit në Britani të Madhe. Këtu gjendet frymëzimi i filmit të njohur ‘V for Vendetta’ që është bazuar në romanin e shkrimtarit Alan Moore, vepër e cila është cilësuar si thriler kontrovers.
Filmi në fjalë, i xhiruar në vitin 2005, sikurse edhe romani është distopi e cila në të ardhmen (viti 2030) e paraqet Britaninë si shtet diktatorial, totalitar e fashist në të cilin mungon liria dhe persekutohen kundërshtarët politikë dhe religjiozë, sidomos myslimanët. Në film, kryeheroi është një anarkist i veshur sikur Guy Fawkes dhe me maskë i cili kërkon nga qytetarët që të rebelohen kundër këtij sistemi fashist. Plani është që të vendoset eksploziv në themelet e Parlamentit dhe të shkatërrohet ndërtesa që është edhe simbol i demokracisë (gjë në film edhe ndodhë). Pra, ka sukses veprimi i cili në vitin 1605 kishte dështuar. Porosia e filmit është se sistemi duhet të ndërrohet me dhunë masive që fillon me eksplodimin e Kishës së Shën Palit në Londër, që është një ndërtesë tjetër impozante dhe me rëndësi të madhe jo vetëm religjioze por edhe historike.
Tema e filmit nuk ka kaluar pa kritikë të ashpër, por aktorët në rolet kryesore, Hugo Weaving, Natalie Portman, John Hurt, Stephen Fry dhe Stephen Rea, janë të shkëlqyeshëm. Shkëlqen sidomos Portman e cila në lojën e kundërshtimit të pushtetit dhe ndërrimit të tij hyn rastësisht si një vajzë apo qytetare e zakonshme, por ofron kontribut të rëndësishëm. Dialogjet janë të shkruara në mënyrë fluide dhe posedojnë kualitet të lartë lirik, por edhe të ekzekutuara për lakmi. I tillë është edhe skenari (Lana dhe Lilly Wachowski) dhe regjia (James McTeigue).
Filmi ka edhe elemente oruelliane që i hasim te ‘1984’. Në aspektin teknik dhe artistik është i realizuar shkëlqyeshëm, nëse injorohet qëllimi se si arrihet ndryshimi politik që është mënyrë tejet e dhunshme. Në anën tjetër, regjimet e dhunshme nuk largohen pa dhunë dhe ndoshta këtu qëndron esenca e këtij filmi. Ndoshta qëndrimi majtist, në këtë rast i ngjyrosur me theks anarkist, kur konfrontohet me djathtizmin ekstrem (fashizmin) nuk ka se si të eliminohet ashpërsia e dhunës që këtu është shumë e theksuar.
Edhe simbolika është përdorur me mençuri. Opozita është e maskuar dhe vepron në ilegalitet se ndryshe nuk ka mundësi të organizimit dhe mbijetesës. Në këtë mënyrë përballohet frika nga totalitarizmi, falsifikimet dhe gënjeshtrat e mediave që i shfrytëzon pushteti, veprimi i policisë sekrete, gjenocidi dhe shkatërrimi edhe i objekteve me karakter të shenjtë për jetën civile. Pra, kemi të bëjmë me një film që shtron dilema. Shumica e veprave janë mira mu për këtë arsye. /Telegrafi/