Site icon Telegrafi

Uzurpuesit që pengojnë lëvizjen e këmbësorëve (Foto)

Edhe pse në fillim të këtij viti autoritetet komunale kishin premtuar se shumë shpejt do të bëhej një listë e hapësirave të uzurpuara në kryeqytet, sidomos për zënie te trotuareve, një pjesë e trotuarit përgjatë rrugës “Agim Ramadani”, përmbi Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, vazhdon të jetë i bllokuar.

Bëhet fjalë për trotuarin e boshtit të rrugës në fjalë, e cila fillon nga udhëkryqi afër Qendrës së Studentëve dhe lidhet me “Rrugën B”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Edhe ky trotuar, si shumë defekte të tjera në hapësirat e kryeqyteti, s’është i uzurpuar së fundi, por vazhdon të jetë në këtë gjendje tashti e disa vjet. Është i uzurpuar në një gjatësi rreth 50 metrash.

Mbi atë pjesë janë lokale hoteliere dhe gastronomike, të gjitha të sistemit montazh. Ajo rrugë, deri me ndërtimin e “Rrugës B”, ka qenë pa krye dhe u ka shërbyer kryesisht studentëve për të shkuar në Fakultetin Teknik.

Me hapjen e rrugës në fjalë, ka një frekuentim të konsiderueshëm. Pos uzurpimit të trotuareve, nuk ka ditë që nuk janë të zënë edhe dy shirita të asfaltit, në të dy anët.

Për këtë të fundit, organet policore i kanë thënë gazetës se zgjidhja e problemit vazhdon të jetë tek organet komunale. /Telegrafi/

Exit mobile version