Telegrafi

Uzuni publikon fotot me idhullin e tij Cristiano Ronaldon me një mesazh tejet emocionues: Kurrë mos hiq dorë nga ëndrrat tua, lufto për to me gjithçka

Myrto Uzuni ka qenë njëri nga futbollistët më të përfolur këtë mesjavë në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Reprezentuesi shqiptar ka shkëlqyer ndaj Juventusit, ku shënoi edhe një gol për skuadrën e tij Ferencvaros.

Pasi shënoi golin e epërsisë ndaj Juventusit, ylli shqiptar festoi si Cristiano Ronaldo, duke kopjuar festimin e portugezit dhe kjo e bëri atë lojtarin më të përfolur.

Gjithsesi festa e tij dhe fotot e tij së bashku me Cristianon pas ndeshjes u bënë virale në rrjetet sociale.

Uzuni tani ka postuar disa foto së bashku me Ronaldon, ku i ka bashkangjitur edhe një shkrim shumë emocionues.

“Kjo foto dhe ky moment do të mbeten në memorien time gjatë të gjithë jetës, si një moment kur kthen ëndrrat në realitet”

“Unë jam i lumtur që kam luajtur kundër idhullit tim CR7, lojtari më i mire në botë, shënova kundër skuadrës së tij dhe mora fanellën e tij në fund të ndeshjes… nuk ka fjalë për ta përshkruar çfarë po ndjej, e vetmja gjë që mund të them është”

“Kurrë mos hiq dorë nga ëndrrat e tua, lufto për to me gjithçka që ke. Ëndrrat bëhen realitet dhe unë kam punuar shumë gjithmonë dhe kam besuar se mund t’ia dal”, ka shkruar sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë.

Përveç golit dhe famës që mori, Uzuni është ‘pasuruar’ edhe me 10 mijë ndjekës të ri në profilin e tij në Instagram. /Telegrafi/