Xhimi Begeja dhe familja e tij janë inicues dhe organizatorë të projektit ‘Femra Shqiptare në Himalaya’ dhe kanë vlerësuar se Uta Ibrahimi është alpiniste e cila meriton përkrahje në këtë projekt.
Uta Ibrahimi sapo ka përfunduar ekspeditën dimërore 4 javore në Himalaya, konkretisht në qendër-veri të Nepalit, në Luginën Ralwaling e cila është e njohur për mundësi të ndryshme alpine përgjatë gjithë vitit.
Ecja ka filluar në fshatin Jagat, 1200 metër lartësi mbidetare dhe duke vazhduar për 7 ditë ecje nëpër fshatrat e thella të kësaj zone, deri në fshatin e fundit NA me lartësi mbidetare 4200 metër.
Lugina Ralwaling njihet si ndër zonat ku është zhvilluar Budizmi gjatë shekullit të 17 dhe në atë kohë ka qenë si zonë sekrete dhe vetëm në 30 vitet e fundit është e vizituar nga alpinistë nga gjithë bota.
Ekspedita alpine ka vazhduar më tutje nëpër kampe me lartësi të ndryshme mbidetare, kampi bazë 4900 metër, kampi i dytë 5400 metra dhe kampi i fundit në 5656 metër, si dhe çdo ditë me aktivitete alpine në lartësi të ndryshme mbidetare me qëllim të përgatitjeve teknike – ngjitje në gurë (rock climbing), ngjitje në akull (ice climbing), ngjitje alpine e kombinuar, ngjitje në glaciera dhe trajnim në kravasa, përgatitje psiqike dhe aklimatizim, dhe si përfundim ngjitje në 3 maje të Himalayave, Yalung Peak 5700 metër lartësi mbidetare, Nurbu Peak 5800 metër lartësi mbidetare, ngjitje teknike e shkallës D+ dhe së fundi Ramdung Peak 5925 metër lartësi mbidetare, ngjitje alpine e shkallës PD.
“Përveç përmirësimit të teknikave alpine, kjo eksperiencë më ka bë familjare me kuptimin e vërtetë të një alpinisti, në një masiv me shumë maje rreth e rrotull, me temperatura të ulëta deri në -20, me rrezikshmëri në çdo hap dhe respekt për bjeshkët dhe natyrën. Këtë përjetim ta ofrojnë vetëm Himalayat”, ka thënë Uta Ibrahimi.
Si fund, kjo ekspeditë është faza e parë e ekspeditës ‘Femra Shqiptare në Himalaya’ e që ka për qëllim pushtimin e disa majave të tjera në Himalaya gjatë dy viteve të ardhshme si dhe zhvillimin dhe promovimin e alpinizmit shqiptar.
“Në Mars 2017 vazhdon faza e dytë e kësaj ekpsedite me pushtimin e majës Sersung – 6422 metër lartësi mbidetare, maje teknike e shkallës D+ e cila nuk është pushtuar deri më tani ndonjëherë dhe kjo është ftesë që më është bërë pas përfundimit të këtij trajnimi 4 javor e që pjesëmarrës janë 5 ngjitës nga bota duke përfshi dhe guidën Nepalese”.
“Më duhet me ju falënderu publikisht Familjes Begeja për besimin që ma kanë dhënë në realizimin e këtij projekti madhor, anëtarët e Shoqatës ‘Dajti Alpin Turistik’ dhe Shoqata ‘Skarpa’ nga Prizreni”, ka thënë në fund Ibrahimi. /Telegrafi/