Site icon Telegrafi

UT realizoi trajnim me metodat më të sofistikuara të biologjisë dhe gjenetikës molekulare

Në kuadër të bashkëpunimit mes Universitetit të Tetovës dhe Universitetit ,,Shën Kirili dhe Metodi”, përkatësisht Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit dhe Institutit për Kontrollin e Zoonozave në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, për së pari herë u realizua trajnimi rreth metodave më të sofistikuara të biologjisë dhe gjenetikës molekulare, për identifikimin e zoonozave, gjegjësisht sëmundjeve të kafshëve që barten te njeriu nëpërmjet ushqimit dhe produkteve të tjera që vinë në kontakt me njeriun, njofton Telegrafi Maqedoni.

Trajnimi u realizua nën udhëheqjen e Erhan Sulejmanit, docent i lëmisë përkatse, në kuadër te lëndës Sistemet e drejtimit me sigurinë ushqimore. Studentët e ciklit të dytë patën mundësinë që drejtpërdrejtë të njihen me metodën PCR – Polymerase Chain Reaction, e cila si teknikë e biologjisë molekulare shërben për të amplifikuar një kopje të vetme, ose disa kopje të një segmenti të ADN-së nëpër disa rradhë të madhësisë, duke krijuar mijëra e miliona kopje të një sekuence të veçantë të ADN-së.

Është një mënyrë e lehtë dhe e besueshme për të përsëritur një segment të përqendruar të ADN-së, që është e zbatueshme në fusha të shumta në biologjinë moderne dhe shkencat e ndërlidhura. Si një metodë bashkëkohore identifikuese, PCR është më e ndjeshme dhe specifike, dhe më pak e rëndë, sesa analizat standarde mikrobiologjike.

Përgjegjëgjësi i Laboratorit në Institutin e Fakultetit të Mjekësisë Veterinere në Shkup, Igor Xhaxhovski, potencoi që në bazë të rregullores për kushtet e veçanta për siguri dhe higjienë të ushqimit me prejardhje shtazore kërkohet që kafshët t’i plotësojnë kërkesat e gjendjes së përgjithshme shëndetësore dhe kërkesat për preventivë dhe kontroll të sëmundjeve të caktuara infektive të kafshëve.

Për sigurinë e furnizimit global të ushqimit, metodat bashkëkohore janë të nevojshme për një monitorim të shpejtë, efektiv dhe të saktë të higjienës mjedisore, identifikimin e rreziqeve biologjike dhe vlerësimin e cilësisë së produktit.

Në kuadër të vizitës u diskutuan edhe mundësitë e bashkëpuniumit në mes dy institucioneve në projekte të ndryshme zhvillimore dhe shkencore. /Telegrafi/

Exit mobile version