Site icon Telegrafi

UT organizoi Seminarin e dhjetë Ndërkombëtar të Albanologjisë

“Letërsia Shqipe në Shekullin XX” ishte tema e Seminarit të dhjetë jubilar të Albanologjisë, i cili gjatë dy ditëve do t’i zhvillojë punimet në Universitetin e Tetovës, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në hapjen solemne të seminarit në ditën e djeshme, pjesëmarrësve dhe studiuesve nga mbarë trevat shqiptare me fjalë përshëndetëse i’u drejtua Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Sipas tij, kjo ngjarje e rëndësishme për albanologjinë, që organizohet nga Universiteti i Tetovës, në këtë vit jubilar synon që para opinionit të gjerë të paraqitet sa më dinjitoz, më i organizuar dhe me të arritura konkrete në lëmin e gjuhësisë, letërsisë, historisë dhe etnokulturës shqiptare.

Në hapjen solemne të këtij seminarit mori pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoni, ekselenca e tij Ylber Hysa, i cili tha se me Seminarin e Albanologjisë Universiteti i Tetovës e vendos Tetovës në një qendër ku studiohet kultura e gjuha shqipe.

“Deri para një decenie Tetova luftonte për të pasur arsim në gjuhën shqipe, tani një decenie më vonë me një aktivitet kaq të rëndësishëm, siç është Seminari i Albanologjisë, e vendos Tetovën në qendër të sigurt të trekëndëshit Prishtinë, Tiranë, Tetovë, të hapësirës shqipfolëse ku studiohet kultura e gjuha shqipe. Nëse kjo është e shënueshme edhe më e pakontestueshme tani më si traditë, tani është koha për sfidën tjetër dhe kjo është sfida e kualitetit. Unë shpresoj se ky do të jetë një rast ku përpjekjet e juaja do t’i vendosni në një stad më të lartë, për të synuar që albanologjinë tashmë jo vetëm ta shënojmë por ta ngremë në një piedestal më të lartë të hulumtimit tuaj”, u shpreh ambasadori Ylber Hysa.

Në emër të studiuesve nga Shqipëria foli studiuesi Agron Tufa. Ai vlerësoi se Universiteti i Tetovës me organizimin e Seminarit të Albanologjisë është bërë qendër e rëndësishme e studimit të gjuhës, letërsisë, historisë dhe etnokulturës shqiptare.

“Sot albanologjia shqiptare me gjithë arritjet e saj ka ende një nevojë të madhe dëshpëruese sepse çështjet e ngrira, çështjet e ngujuara, çështjet e tabuizuara, të cilat presin të shtrohen dhe të shikohen në një dritë të re dhe këndvështrim të ri dhe Universiteti i Tetovës, Seminari i Albanologjisë krahas atyre qendrave që e kanë këtë traditë të hershme, si universitetet e Tiranës, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë dhe në mënyrë të posaçme edhe temat që shtron Instituti Albanologjik i Prishtinës krijojnë një triadë ku në një mënyrë a një tjetër çështjet shkencore të gjuhës, të letërsisë, të historisë, të etnokulturës, të shtrohen në rrafsh tej kombëtar, tashmë me pjesëmarrje të studiuesve nga vendet e Ballkanit, të Evropës dhe më gjerë dhe kjo është një arritje e madhe”, vlerësoi Prof. Dr. Agron Tufa.

Kurse studiuesja nga Kosova, Donika Dabishevci deklaroi se ky seminar tashmë është bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe shkencore anekënd trevave shqiptare.

Drejtori i Seminarit të Albanologjisë, Doc. Dr. Salajdin Saliu nënvizoi se qëllimi kryesor i Seminarit, krahas të arriturave shkencore që prezantohen, është edhe transformimi i fuqisë në formë dhe në energji kulturore.

“Është edhe krijimi i një qyteti të hapur, ku krijohen dhe përthithen vlera kulturore, ku ka ambient kulturor dhe vlerësues. Këto vlera shpirtërore mund të krijohen duke shfrytëzuar mundësitë që i ofron liria personale dhe kolektive. Mendja e hapur, me gjykim kritik e kreativ, mundëson të shohim horizonte të reja. Na zbulon përmasa të tjera të kësaj bote”, theksoi Doc. Dr. Salajdin Salihu. /Telegrafi/

Exit mobile version