Site icon Telegrafi

UT: Ndjekim nga afër artikulimin e zërit studentor

Me moton “Tek prisnim të piqeshin kushtet, na u kalbën dëshirat”, qindra studentë sot protestuan në qytetin e Tetovës,

Pas mbajtjes së kësaj proteste nga ana e studentëve nga Universiteti i Tetovës thanë se “duke pasur në konsideratë mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave studentore të Universitetit të Tetovës, por edhe të mbarë rinisë studentore në Republikën e Maqedonisë, si dhe në frymën e informimit të drejtë të opinionit publik, udhëheqësia e Universitetit të Tetovës e ndjek nga afër artikulimin e zërit studentor, i cili është një premisë e shëndoshë për rrjedhat e përgjithshme të proceseve shoqërore”, njofton Telegrafi Maqedoni.

Nga atje shtojnë se Universiteti i Tetovës kurrë nuk ka hezituar dhe nuk do të hezitojë ta dëgjojë zërin studentor dhe të reflektojë për të mirën e studentëve dhe mbarë shoqërisë.

“Për çdo shqetësim studentor, për aq sa kemi pasur ankesa të bazuara dhe të qëndruara, ne gjithmonë kemi marrë masat e duhura dhe do të jemi gjithmonë të gatshëm t’i qëndrojmë fisnik këtij parimi human, etik dhe ligjor. Universiteti i Tetovës është i popullit dhe rinisë studentore dhe nuk guxon të bëhet tabelë qitjeje e askujt, aq më pak, e grupeve të caktuara të interesit. Çdo shqetësim, pakënaqësi apo revoltë duhet të zgjidhet institucionalisht, qoftë ajo individuale apo kolektive”, thuhet në deklaratën e Universitetit të Tetovës.

Lexo po ashtu Ministria e Arsimit: Ndjekim me vëmendje kërkesat e studentëve

Poashtu edhe nga Ministria e Arsimit më herët thanë se me vëmendje po i ndjekin kërkesat e studentëve që i paraqitën sot, në protestën e organizuar në Tetovë, edhe pse paraprakisht në rrugë zyrtare nuk jemi njoftuar për të njëjtat./Telegrafi/

Exit mobile version