Telegrafi

UT-ja zbaton taksë për praktikë të studentëve, Ministria e Arsimit është kundër (Video)

Universiteti Tetovës arsyeton taksën 3 000 denarëshe për studentët lidhur me punën praktike. Sipas tyre bëhet fjalë për taksë e cila është sjell në përputhje me Ligjin për arsimin e lartë dhe statutin e universitetit. Pavarësisht reagimeve, UT nuk planifikon shfuqizimin e kësaj takse.

Në harmoni me Ligjin për arsimin e lartë, statutin e Universiteti, mandej miratohen aktet e brendshme të Universitetit të cilat janë të miratuara tashmë nga organet më të larta. Në bazë të këtyre caktohen të gjitha kushtet dhe kriteret për mënyrën e studimit të studentëve. Mendoj se senatorët e universitetit do t’i kenë parasysh të gjitha çështjet dhe kërkesat e studentëve dhe kuptohet që vendimet i sjell organi më i lartë në harmoni me statutin dhe Ligjin për arsimin e lartë – deklaroi Jusuf Zendeli, Prodekan i Juridikut në UT.

Por ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskoska demanton Universitetin e Tetovës. Sipas Deskoskes, kjo taksë bie në kundërshtim me Ligjin për arsimin e lartë dhe se një veprim i tillë do të shqyrtohet nga Inspektorati shtetëror i arsimit.

Kjo nuk është e lejuar dhe nuk ka bazë juridike për një kërkesë të tillë. Për kundër kësaj, universitetet obligohen të sigurojnë praktikë dhe të mos paguhet ajo. Me të vërtetë jam e habitur nga ky informacion. Do ta shqyrtojmë rastin. Do ta njoftoj Inspektoratin shtetëror për arsim dhe së pari ta konfirmojmë a është e vërtetë dhe nëse po gjithsesi se do të ketë masa Inspektorati përkatës – kundërshtoi Renata Deskoska, Ministre e Arsimit.

Studentët të indinjuar, kërkojnë anulimin e kësaj takse.

Mendoj se më mirë do të ishte të largohet kjo taksë. Kemi shumë harxhime si student dhe është diçka e tepërt”.

Duhet patjetër të hiqet si pagesë ngaqë është ngarkesë shtesë për ne – thonë studentët.

Ligji për arsimin e lartë është i qartë. Neni 45, paragrafi 6 i mundëson universiteteve të bashkëpunojnë me institucione, por duke mos obliguar studentët të paguajnë taksë ndaj universitetit. Taksa e njëjtë ka qenë aktive vite më parë, por ishte anuluar me vendim të Senatit të UT-së. E njëjta u rikthye përsëri, duke kushtëzuar në të njëjtën kohë pagesën e punës praktike me regjistrimin e semestrit. Taksa fiktive, UT-ja kishte imponuar edhe më parë, respektivisht ajo për Parlamentin Studentor kur studentët obligoheshin të paguajnë 100 denarë për një Parlament inekzistent aso kohe. Vendimi kishte nxitur reagime, ndërsa UT-ja ishte hakmarrë ndaj studentëve kritik të këtij vendimi. Taksa për punën praktike ka rritur shqetësimet dhe studentët kanë nisur të koordinohen për kundërshtimin e saj, duke mos përjashtuar edhe protestën./Alsat-M/

https://www.youtube.com/watch?v=SIUTUkxzSIw