Më 30 mars 2018, Universiteti i Tetovës dhe Fakulteti i Mjekësisë nga Tirana nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
Marrëveshja u firmos nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Vullnet Ameti dhe Rektori, Arben Gjata.
Rektori Vullnet Ameti, theksoi se me këtë bashkëpunim të dy universitetet kanë rënë dakord të bashkëpunojnë për nxitjen e shkëmbimit të shumanshëm, në funksion të zhvillimit institucional.
“Bashkëpunimi ndërmjet dy universiteteve, gjegjësisht Universitetit të Tetovës dhe Universiteti i Tiranës do të përfshijë:
Shkëmbimin e personelit akademik për procesin mësimor; Shkëmbimin e pedagogëve, të kërkuesve dhe të studentëve në kuadrin e veprimtarisë kërkimore-shkencore;
Nxitjen, mbështetjen dhe realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe formuese; Nxitjen, mbështetjen dhe realizimin e veprimtarive të tjera shkencore (konferenca, seminare e botime në fusha me interes të dyanshëm);
Shkëmbimin e literaturës shkencore;
Shkëmbimin e përvojës lidhur me menaxhimin institucional”- tha Rektori i UT-së Vullnet Ameti.
Sipas marrëveshjes, të dy universitetet bien dakord që realizimi i aktiviteteve të kryhet në varësi të burimeve dhe potencialit të disponueshëm nga secili institucion. /Telegrafi/