Miliarderi amerikan, Stan Kroenke ka bërë një ofertë për të blerë pjesën tjetër të aksioneve te Arsenali, në një marrëveshje që klubi anglez e vlerëson në rreth dy miliardë euro, pasi që rusi Alisher Usmanov ka rënë dakord t’i shes aksionet.
Kroenke, i cili gjithashtu zotëron një ekip të basketbollit në SHBA, Denver Nuggets dhe ekipin e futbollit amerikan, Los Angeles Rams, pohoi se do të dëshironte të jetë pronari i tërë klubit anglez në mënyrë që mund ta udhëheq klubin sipas strategjisë së vetë.
Ky veprim vjen në një kohë vendimtare për klubin në veri të Londrës, i cili ka filluar një epokë të re pa trajnerin, Arsene Wenger, i cili udhëhoqi për 22 vjet klubin e Ligës Premier.
“Ne në KSE, kemi bërë këtë ofertë e cila na dërgon drejt 100 për qind të pronësisë së klubit”, tha Kroenke.
“Ne e vlerësojmë përkushtimin e Usmanovit në klubin e futbollit të Arsenalit dhe historinë e klubit që përfaqëson”, shtoi ai.
Kroenke, i cili tashmë zotëron 67 për qind të Arsenalit, tha se kishte marrë këtë veprim duke e parë që miliarderi rus dëshiron t’i shes 30 për qind të aksioneve si dhe do të blinte aksionarët e tjerë të pavarur.
Klubi, nën drejtuesin e ri të trajnerit Unai Emery, përballet me një betejë për t’u kthyer në kreun e futbollit anglez pasi që konkurrenca midis gjashtë klubeve të Ligës Premier kurrë nuk ka qenë më e madhe. /Telegrafi/