Telegrafi

Ushtrisë së Putinit nuk po i ecin mirë as stërvitjet – aeroplani luftarak rus përplaset në një shtëpi në Siberi, gjejnë vdekjen dy pilotë

Një aeroplan ushtarak rus u rrëzua në një ndërtesë banimi në qytetin siberian të Irkutsk.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ngjarja ndodhi të dielën dhe nga ky aksident të dy pilotët kanë gjetur vdekjen.

Ky është incidenti i dytë i tillë fatal në gjashtë ditë që përfshin, duke përfshirë një tjetër me një aeroplan luftarak Sukhoi.

Në një postim në Telegram, guvernatori i Irkutsk, Igor Kobzev tha se aeroplani u rrëzua në një shtëpi dykatëshe në qytet.

Ai publikoi një video që tregon zjarrfikësit duke u ngjitur mbi rrënojat dhe duke drejtuar ujin në rrënojat që ende po digjeshin.

Askush në tokë nuk është lënduar, ka bërë të ditur guvernatori.

Zyrtarët thanë se aeroplani ishte një luftarak Sukhoi Su-30 në një fluturim provë.

Të hënën e kaluar, një Sukhoi Su-34 u rrëzua në një bllok apartamentesh në qytetin jugor të Yeysk, afër Ukrainës, dhe të paktën 15 persona humbën jetën.

Një lajm i tillë vjen në ditën kur autoritetet ukrainase kanë thënë se që nga 24 shkurti deri më 23 tetor, Forcat e Armatosura të Ukrainës eliminuan rreth 67,470 pushtues rusë.

Sipas një raporti të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës të postuar në Facebook, mbrojtësit ukrainas shkatërruan 2,584 (+5 gjatë ditës së kaluar) tanke ruse, 5,284 (+18) automjete të blinduara të personelit, 1,667 (+14) sisteme artilerie, 374 (+1) MLRS, si dhe 189 sisteme luftarake kundërajrore.

Veç këtyre, ata kanë shkatërruar 270 avionë rusë, 245 (+2) helikopterë, 1,361 (+20) UAV operativo-taktike, 350 (+21) raketa lundrimi, 16 luftanije/anije, 4,039 (+18) automjete dhe depozita karburanti dhe 148 njësi të pajisjeve speciale.

Ndërkohë siç shkruan Euronews, përcjell Telegrafi, rrëzimi i së dielës ishte përplasja e 11-të e raportuar “jo-luftarake” e një aeroplani luftarak rus që nga fillimi i agresionit në shkallë të plotë i Ukrainës nga Moska më 24 shkurt.

Ekspertët ushtarakë kanë vënë në dukje se ndërsa numri i fluturimeve ushtarake ruse u rrit ndjeshëm gjatë luftimeve, u rritën edhe përplasjet.

Irkutsk, një qendër kryesore industriale me më shumë se 600,000 banorë në Siberinë lindore, është shtëpia e një fabrike aeroplanësh që prodhon luftarakët Su-30.

Su-30 është një aeroplan luftarak, me dy motorë, me dy vende, i prezantuar në vitin 1992. /Telegrafi/