Telegrafi

Ushtrimi “Shpata e argjendtë’’ teston aftësitë në raste krizash me refugjatë

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Guglielmo Luigi Miglieta zbritën sot me helikopter në zonën e operacionit të ushtrimit fushor “Shpata e argjendtë” në kazermën e FSK-së “Evropianët e rinj” në Pomozotin për të parë nga afër operacionet përfundimtare të ushtrimit të përbashkët të institucioneve të sigurisë në vend, si FSK, KFOR, Policia e Kosovës dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Fillimisht në zonën e operacionit u bë një prezantim i tërë procesit të planifikimit , u prezantua skenari si dhe u prezantuan akterët pjesëmarrës në realizimin e ushtrimit “Shpata e Argjendtë” e gjithashtu dhe më pas u vizituan vend incidentet e ushtrimit.

Me këtë rast numri një i FSK-së asi vizitoi të gjitha aktivitetet e ushtrimit u shpreh se,,Shpata e argjendtë’’ doli të jetë pikërisht ashtu siç ishte planifikuar “një test dhe sprovë e suksesshme e menaxhimit të emergjencave dhe krizave eventuale në vend, e gjithashtu një ushtrim i veprimit dhe ndërveprimit të suksesshëm dhe i realizuar bashkërisht i të gjitha institucioneve të sigurisë që veprojnë në Kosovë”.

Ai falënderoi KFOR-in, ekipet këshilluese të NATO-s, agjencitë tjera vendore pjesëmarrëse në ushtrim e në veçanti oficerët, nënoficerët dhe ushtarët që për tri ditë rresht të realizojnë me përpikëri dhe motiv të lartë të gjitha detyrat e parashtruara.

Sipas skenarit, refugjatë të supozuar gjoja kishin ardhur nga Siria nëpërmjet Republikës së Maqedonisë dhe kalojnë në zonën kufitare Kosovë- Maqedoni, ku fillimisht u legjitimuan, intervistuan nga Policia e Kosovës, pastaj rastet me sëmundje apo lëndime u trajtuan nga ekipet mjekësore të FSK-së, përkatësisht Kompanisë së Mjekësisë dhe ato të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave .

Qëllimi i Ushtrimi fushor ,, Shpata e Argjendtë’’ ishte testimi i aftësive ndërvepruese të institucioneve të sigurisë në Kosovë për menaxhimin e emergjencave dhe krizave me rastin e ardhjes eventuale të refugjatëve si dhe mbështetja humanitar për refugjatë, transmeton Klan Kosova.