Telegrafi

Ushtria turke pajiset me dron me mitraloz, i cili mund të shkrep 15 plumba në breshëri – publikohen pamjet që tregojnë se si vepron ai në teren

Turqia do të jetë klienti i parë për një dron të ri ushtarak i cili do të ketë edhe një mitraloz që mund të ndezë 15 të shtëna në një breshëri të vetme dhe i cili do të mbajë 200 plumba.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, i zhvilluar nga Asisguard, një firmë teknologjike në Ankara që është e specializuar në teknologjinë ushtarake, droni do të përdorë një sistem laser për të dhënë një shkallë të lartë saktësie.

Droni do të përdorë gjithashtu një grup mbajtësesh robotike për të kompensuar ripërtëritjen e armëve dhe për të siguruar që rruga e fluturimit të dronit nuk është e rrezikuar nga shkrepja.

Sipas një raporti në New Scientist, droni do të jetë në gjendje të godasë caqe aq të vogla prej rreth 15 centimetrash, nga një distancë deri në 200 metra.

Droni që peshon rreth 25 kilogramë, i quajtur Songar, do të jetë në gjendje të udhëtojë deri në gjashtë milje në lartësi deri në 3 kilometra mbi tokë, përcjell Telegrafi.

Ndërsa, siç bëhet e ditur tutje, mitralozi do të pajiset për të shkrepur plumba 5.56 x 45 mm të klasës së NATO-s.

Dronët Songar mund të fluturojnë në grupe deri në tre dhe të gjithë mund të operohen nga një kontrollues i vetëm.

Droni gjithashtu do të vijë i pajisur me një kamerë për ta bërë atë të dobishëm për misionet zbuluese dhe mbikëqyrëse.

Songar do të përdorë GPS për navigim dhe sistemi i tij i vizionit do të funksionojë ditën ose natën.

Droni u njoftua për herë të parë nga Asisguard në pranverë, në Panairin Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes, një konferencë vjetore e teknologjisë ushtarake në Stamboll.

Ndërkohë, këtë verë, kompania lëshoi një video demonstruese që tregon dronin në veprim. /Telegrafi/