Site icon Telegrafi

Ushtria siriane vret 33 ushtarë turq në një sulm ajror në Idlib, NATO mban takim të jashtëzakonshëm

Vendet anëtare të NATO-s do të mbajnë sot takim të jashtëzakonshëm me kërkesë të Turqisë, kjo për shkak të sulmit ajror mbi forcat turke në Siri.

Në takimin e jashtëzakonshëm do të marrin pjesë ambasadorët e të gjithë 29 vendeve anëtare, kurse pika e vetme e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i opsionit bazuar në Nenin 4 të NATO-s, i cili parasheh se secili anëtar mund të kërkojë ndihmën e Aleancës Veri-Atlantike nëse konsideron se i është shkelur apo cenuar integriteti territorial, transmeton Telegrafi.

Kujtojmë që të enjten ka ndodhur një incident i madh ku kanë humbur jetën të paktën 33 ushtarë turq. Ushtarët turq ishin sulmuar nga trupat siriane të Bashar al-Assadit, me arsyetimin se nuk e kanë ditur se janë turq kjo për faktin se ishin afër milicisë që Damasku i përkrahur nga Rusia i konsiderojnë terrorist.

Në anën tjetër Moska zyrtare ka njoftuar se ushtarët turq e kanë pësuar, pikërisht për atë se ishin afër siç i quajtën ata “njësive terroriste”.

Tensionet mes Turqisë dhe Rusisë janë rritur ditëve të fundit, pasi që Turqia mbështet rebelët sirianë të cilët Assadi i lufton me ndihmën e Rusisë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka dënuar sulmet e ushtarëve sirianë dhe mbështetësve të tyre rusë në Idlib, duke bërë thirrje që të ndalen sulmet. /Telegrafi/

 

Exit mobile version