Qindra njerëz janë mbledhur në qytetin kryesor të Mianmar, Yangon, për të protestuar kundër grusht-shtetit ushtarak që ndodhi në fillim të kësaj jave.
“Diktatura ushtarake, dështo, dështo; Demokraci, fito, fito”, brohoriti turma, derisa vlerësohet të jetë protesta më e madhe që kur ushtria mori pushtetin.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, protestuesit bënë thirrje për lirimin e udhëheqëses së zgjedhur Aung San Suu Kyi dhe të tjerëve të arrestuar nga ushtria.
Protesta erdhi pavarësisht përpjekjeve të ushtrisë për të pamundësuar mobilizimin e njerëzve duke mbyllur kështu mediet sociale.
Të premten në mbrëmje, Telenor, një nga ofruesit kryesorë të internetit në vend, konfirmoi se ishte urdhëruar të ndalonte qasjen e njerëzve në Twitter dhe në Instagram “deri në njoftimin e ardhshëm”.
Udhëheqësit e grusht-shtetit patën bllokuar edhe Facebook-un të enjten për hir të “stabilitetit”.
Dhe të shtunën, sipas BBC, raportet e pakonfirmuara njoftuan për një mbyllje totale të internetit. /Telegrafi/