Site icon Telegrafi

“Ushtria” mund ta prishë koalicionin PDK-LDK

Kriza e radhës në mes të partnerëve të koalicionit PDK e LDK erdhi pasi që presidenti Thaçi e dërgoi në Kuvend projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë në ushtri.

Brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës pati zëra që dolën kundër formimit të ushtrisë në mënyrën siç kishte propozuar presidenti. I frustruar me këtë veprim ishte edhe vetë kryeministri Mustafa, i cili përmes një statusi në “Facebook” tha se ushtria e Kosovës nuk është dhe as që do të jetë partiake.

Në partinë e udhëhequr nga Mustafa shpresojnë se nisma e presidentit të jetë e sinqertë dhe të gjejë zbatim në praktikë.

Derisa në Partinë Demokratike të Kosovës bëjnë të ditur se mospajtimet në mes të partnerëve të koalicionit janë tërësisht normale dhe aspak tunduese për koalicionin, shkruan “Zëri”.

Nga ana tjetër, analistët në vend i shohin këto “përçarje” mes koalicionit si sinjale të zgjedhjeve të parakohshme, të cilat sipas tyre janë të pashmangshme.

Analisti Agon Maliqi thotë se sinjalet që po vinë nga koalicioni LDK-PDK nuk janë shpresëdhënëse.

“Nuk është e qartë vetëm se sinjalet nuk janë edhe aq shpresëdhënëse. Duket i qartë një moskoordinim dhe se koalicioni nuk po funksionon si duhet për temat e mëdha që duhej të ishin të interesit nacional”, ka vlerësuar Maliqi, i cili i sheh këto shenja si sinjale të zgjedhjeve të parakohshme.

“Kjo është gjithsesi shenjë se jemi duke iu afruar zgjedhjeve, por se kur ato do të mbahen kjo mbetet e paqartë”, ka përfunduar ai. /Zëri/

Exit mobile version