Forcat libiane kanë deklaruar se kanë rimarrë nën kontroll portin e qytetit të Sirtes, pas një beteje të ashpër kundër militantëve të Shtetit Islamik.
Sirte është bastioni më i rëndësishëm i ISIS jashtë Sirisë dhe Irakut. Më herët gjatë javës avionë luftarakë bombarduan bazat e ISIS në qytet, ndërsa forcat e marinës qëlluan raketa drejt portit.
Autoritetet njoftojnë se ofensiva vazhdon. Trupat ushtarake, të mbështetura nga qeveria e mbështetur nga OKB e Tripolit, e nisën betejën për rimarrjen e qytetit muajin e kaluar.
Zëdhënësi, gjenerali Muhammad al Ghusri deklaroi se liderë të rëndësishëm të ISIS janë larguar drejt jugut për të shpëtuar, por shumë militantë janë ende në qytet.
Përleshjet kanë shënjestruar qendrën e konferencave Uagadugu, që dikur ka shërbyer si pikë e rëndësishme për samitet ndërkombëtare, por që së fundmi është kthyer në qendrën e komandës së ISIS.
Trupat besnike të qeverisë sulmuan qendrën në fjalë me artilieri të rëndë, të mbështetur edhe nga aviacioni luftarake.
Militantët nga ana e tyre u përgjigjën duke përdorur snajpera, armë automatike dhe goditje mortaje. Qeveria deklaroi se dy ushtarë mbetën të vrarë dhe 8 të tjerë të plagosur.
Sirte ka qenë gjithashtu qyteti i lindjes i ish-liderit Muammar Gadaffi. Ndërkohë, qeveria e unitetit u formua në Tripoli rreth 2 muaj më parë./tch/