Site icon Telegrafi

Ushtria ka nevojë për gjeoinformacione

Edon Maliqi

Në kohën e sotme digjitale, përdorimi i Sistemit të Informacionit Gjeografik (SIGj) në ushtritë e botës ka revolucionarizuar mënyrën se si funksionojnë forcat ushtarake, qoftë në raste të sulmit, qoftë në raste të mbrojtjes. Prandaj, Sistemi i Informacionit Gjeografik (SIGj) është mjet i nevojshëm dhe i domosdoshëm që si i strukturuar dhe i organizuar mirë, krijon një mjedis me informacione të shumta për hartat tematike, inteligjencën, analizimin e terrenit, menaxhimin e fushës së betejës, menaxhimin e objekteve ushtarake, si dhe monitorimin e lëvizjeve në terren.

Po ashtu, në raste të mbrojtjes së civilëve, një SIGj i tillë ndihmon në optimizimin e rrugëve për lëvizje pa shumë rrezik, si dhe për përcaktimin e vendndodhjeve për ndihmat emergjente. E gjithë kjo për qëllime të vendimmarrjes në mënyrë efikase dhe të duhur nga ana i komandës që udhëheq një betejë ose operacion ushtarak.

Koncepti i komandës, kontrollit, komunikimit dhe koordinimit të operacioneve ushtarake mbështetet në informacionet e sakta hapësinore, në funksion të vendimeve të duhura për urdhrat operacional. Prandaj, operacionet e ndryshme ushtarake nuk kanë kuptim pa elementin e pozicionimit dhe të lëvizjes drejt destinacionit në terren. Për këtë arsye, në çdo shtet, Ministria e Mbrojtjes (MB) mbledh dhe përpunon të dhëna hapësinore për t’i analizuar për vendimmarrje.

Për ushtarakët, konfliktet apo luftërat e ndryshme, rezultojnë të jenë sfidë më vete, e sidomos kur kërkohet reagim i shpejtë dhe fleksibël. Një sfidë tjetër mbetet përditësimi i hartave për situatën e krijuar në terren në lidhje me aktivitetet e armikut. Në këtë mënyrë, vizualizimi i të dhënave për planifikim të veprimeve dhe menaxhim të logjistikës sjell shumë përfitime për komandën në terren.

Operacionet ushtarake të bazuara në tokë kanë nevojë për vlerësimin e saktë të terrenit. Prandaj, për të shmangur rrezikun e funksionimit të dhënat e tilla si: kushtet e terrenit, lartësitë e terrenit, rrugët e kalueshme, pengesat natyrore, mbulesa e tokës, etj, të jenë të disponueshme në formate që mund të përdoren nga ekipe të ndryshme të forcave në terren.

Një SIGj efikas ndihmon:

– në përcaktimin e vendndodhjeve të sakta për trupat ushtarake;

– në përcaktimin e rrugëve më me pak rrezik;

– për të fshehur pajisje dhe trupat ushtarake, si dhe

– në analizimin e situatës dhe të veprimeve bazuar në disa kritere.

Prandaj, ushtria ka nevojë për harta të qëllimeve të ndryshme operacionale. Një hartë digjitale e lehtëson procesin e krijimit të hartave të ndryshme tematike, që kanë për qëllim të prezantojnë një tematikë të veçantë, e në këtë mënyrë të komunikojnë me përdoruesit një dukuri natyrore ose shoqërore.

Situata e krijuar së fundmi në luftën Rusi-Ukrainë, na bën të mendojmë e të veprojmë, që edhe Forca e Sigurisë në Kosovë (FSK) të ndjek një qasje të tillë moderne në funksion të ngritjes së kapaciteteve për pozicionim dhe lëvizje drejt destinacionit.

 

 

Exit mobile version