Komandantët e ushtrisë irakiane thonë se forcat e tyre e kanë marrë kontrollin e plotë të Universitetit të Mosulit nga grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS), që paraqet avancimin e fundit madhor për rimarrjen e pjesës lindore të këtij qyteti.
“Këtë ndërtesë të madhe shkencore dhe kulturore e kanë çliruar heronjtë”, ka thënë shefi i shërbimit kundër terrorit të Irakut, Talib Shaghati.
Militantët e grupit ekstremist Shteti Islamik e kanë shfrytëzuar kompleksin universitar si bazë të tyre, ndërsa zyrtarët irakianë thonë se militantët i kanë përdorë laboratorët kimikë për prodhimin e armatimit kimik.
Prej tetorit të vitit të kaluar, forcat ushtarake të Irakut po bëjnë përpjekje për rimarrjen e Mosulit, që është baza e fundit madhore e Shtetit Islamik në Irak.
Gjenerali i lartë ushtarak irakian, Maan Saadi, ka deklaruar se forcat qeveritare ndoshta mund ta rimarrin kontrollin në gjysmën lindore të Mosulit gjatë 10 ditëve të ardhshme. /REL/