Telegrafi

Ushtria, ekstremizmi dhe shtrirja e autoritetit në veri – temat kryesore të sigurisë së Qeverisë së ardhshme! (Video)

Parandalimi dhe rehabilitimi i grupeve me prirje ekstremiste, transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, dhe shtrirja e autoritetit shtetëror në veri të vendit, do të jenë prioritetet e Qeverisë së re, thonë njohësit e çështjeve të sigurisë – në emisionin “Përballje”, produkt i Telegrafit me gazetarin Muhamet Hajrullahu, që transmetohet në RTV Dukagjini.

“Përparësi duhet ta ketë parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm. E, sa i përket formimit të Ushtrisë së Kosovës, kjo duhet të bëhet në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare”, ka deklaruar Arben Qirezi.

Besa Kabashi Ramaj thotë se strategjia nacionale e sigurisë nuk duhet të jetë temë partiake, por temë e interesit nacional.

“Çështja e FSK-së dhe Ushtrisë i kanë dhënë kah të gabuar sigurisë, sepse janë kalkulime politik”, thotë ajo.

Në anën tjetër, Abedin Selimaj – nga Instituti i Kosovës për Studime Ndërkombëtare – mendon se prioritet i Kosovës duhet të jenë njerëzit dhe siguria sociale që përcaktojnë edhe sigurinë fizike.

“Qeveria e ardhshme duhet ta bëjë qytetarin ta ndjejë veten të sigurt në rrethin ku jeton”, thotë ai. /Telegrafi/