Udhëheqësit e grushtshtetit ushtarak në Sudan i paralajmëruan protestuesit se do të kenë “zero tolerancë” ndaj trazirave.
Një zëdhënës tha se ushtria nuk kërkon pushtet dhe se e ardhmja e Sudanit do të vendoset nga protestuesit, por shtoi se ushtria do ta ruajë rendin publik.
Protestuesit vazhdojnë të mbeten në rrugët e Kartumit, nga frika se udhëheqësit e grushtshtetit janë shumë të afërt me presidentin e përmbysur, Omar al-Bashir.
Ushtria tha se nuk do ta ekstradojë Bashirin për akuzat për krime lufte.
Bashir është subjekt i dy urdhërarrestimeve ndërkombëtare, të lëshuara nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime.
Ai akuzohet për organizimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në rajonin Darfur të Sudanit, në periudhën 2003-2008.
Bashir i mohon këto akuza.
Megjithatë, sipas Këshillit Ushtarak, i krijuar pas grushtshtetit, ai mund të gjykohet në Sudan.
Bashir – një nga udhëheqësit që ka shërbyer më së gjati, përkatësisht nga viti 1989 – u përmbys të enjten dhe tani është në paraburgim.
Rënia e tij pasoi disa muaj trazira që filluan në dhjetor, për shkak të rritjes së çmimeve.
Së paku 38 vetë u vranë në protesta.