Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, sot realizoi takim me ambasadorin grek në Maqedoni, Dimitris Janakakis. Ajo përshëndeti bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe ballafaqimin me krizën e emigrantëve, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Siç njoftojnë nga Ministria e Mbrojtjes, Sheqerinska ka theksuar se ka bashkëpunim të mirë në fushën e mbrojtjes dhe se dy ushtritë e vendeve mund të bashkëpunojnë pa mos u përzier në çështjet politike.
Ambasadori Janakakis, në kumtesë thuhet se, ka shprehur kënaqësi nga bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe shtoi se mund të bëhet më shumë në avancimin e mëtejshëm.
“Për ne ju jeni fqinj i rëndësishëm. Si vend jemi të interesuar për suksesin dhe prosperitetin tuaj”, ka thënë Janakakis.
Ndërsa, nga aspekti i integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, Sheqerinska ka kërkuar solidaritet nga ana e Greqisë si vend fqinj.
Në takim, bashkëbiseduesit përshëndetën vizitën e ministrit të Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov në Greqi, si dhe paralajmërimet për ardhje të Nikos Kotzias në Maqedoni./Telegrafi/