Forcat e Shteteve të Bashkuara kanë vrarë një udhëheqës të lartë të grupit ISIL (ISIS) në Siri në një operacion me helikopter, tha ushtria amerikane.
Komanda Qendrore e SHBA (CENTCOM) tha në një deklaratë se Abd-al-Hadi Mahmud al-Haji Ali ishte objektivi kryesor i një “sulmi të njëanshëm me helikopter” të kryer herët në mëngjes të hënën, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Deklarata e përshkruan atë si një “udhëheqës dhe planifikues operacional përgjegjës për planifikimin e sulmeve terroriste në Lindjen e Mesme dhe Evropë”.
Aksioni i së hënës erdhi pas informatave të inteligjencës që tregonin se ISIL po planifikonte të rrëmbente zyrtarë jashtë vendit, tha CENTCOM.
Dy anëtarë të tjerë të grupit u vranë gjithashtu, thuhet në deklaratë por që CENTCOM nuk ofroi detaje të tjera rreth operacionit.
Ndërkohë Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se operacioni të hënën kishte në shënjestër një ndërtesë në al-Suwaydah, një fshat rreth 25 km (15 milje) në perëndim të qytetit të Jarablus në kufirin verior të Sirisë me Turqinë.
Monitoruesi i luftës me bazë në Britani, i cili mbështetet në burime në terren, tha se nga aksioni u vranë objektivi kryesor dhe dy luftëtarë të tjerë. /Telegrafi/