Telegrafi

Ushtria amerikane thotë se ka gjetur sensorë dhe pajisje tjera elektronike nga balona spiune kineze

Ushtria amerikane thotë se ka gjetur pajisje elektronike nga një balonë e supozuar spiune kineze, që u rrëzua nga një aeroplan luftarak amerikan në brigjet e Karolinës së Jugut më 4 shkurt, duke përfshirë sensorë kyç që besohet se janë përdorur për të mbledhur të dhëna.

“Ekipet kanë arritur të nxjerrin mbetjet e rëndësishme nga lokacioni, duke përfshirë të gjithë sensorët dhe pajisjet elektronike, si dhe pjesë të mëdha të strukturës”, tha në një deklaratë Komanda Veriore e ushtrisë amerikane, transmeton Telegrafi.

Baloni kinez, të cilin Pekini mohon se ishte një fluturake spiune e qeverisë kineze, kaloi një javë duke fluturuar mbi SHBA dhe Kanada përpara se presidenti Joe Biden të urdhëronte rrëzimin e saj.

Lexo po ashtu Shtëpia e Bardhë zbulon më shumë detaje rreth 'objekteve fluturuese' që janë kapur duke fluturuar dhe janë rrëzuar në SHBA

Ky episod acaroi më tej marrëdhëniet midis Washingtonit dhe Pekinit, duke nxitur Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken të shtyjë udhëtimin e tij në Kinë.

Kjo çoi gjithashtu në “kërkimin e madh” nga ushtria amerikane për objekte të tjera që nuk u kapën nga radarët, duke çuar në tre rrëzime në tre ditë midis të premtes dhe të dielës.

Ushtria amerikane dhe administrata e Biden kanë pranuar se shumë gjëra rreth objekteve më të reja pa pilot mbeten të panjohura, duke përfshirë mënyrën se si ato qëndrojnë në ajër, kush i ka ndërtuar dhe nëse ata mund të kenë mbledhur të dhëna. /Telegrafi/