Ushtria amerikane thotë se ka gjetur pajisje elektronike nga një balonë e supozuar spiune kineze, që u rrëzua nga një aeroplan luftarak amerikan në brigjet e Karolinës së Jugut më 4 shkurt, duke përfshirë sensorë kyç që besohet se janë përdorur për të mbledhur të dhëna.
“Ekipet kanë arritur të nxjerrin mbetjet e rëndësishme nga lokacioni, duke përfshirë të gjithë sensorët dhe pajisjet elektronike, si dhe pjesë të mëdha të strukturës”, tha në një deklaratë Komanda Veriore e ushtrisë amerikane, transmeton Telegrafi.
Baloni kinez, të cilin Pekini mohon se ishte një fluturake spiune e qeverisë kineze, kaloi një javë duke fluturuar mbi SHBA dhe Kanada përpara se presidenti Joe Biden të urdhëronte rrëzimin e saj.
Ky episod acaroi më tej marrëdhëniet midis Washingtonit dhe Pekinit, duke nxitur Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken të shtyjë udhëtimin e tij në Kinë.
Kjo çoi gjithashtu në “kërkimin e madh” nga ushtria amerikane për objekte të tjera që nuk u kapën nga radarët, duke çuar në tre rrëzime në tre ditë midis të premtes dhe të dielës.
Ushtria amerikane dhe administrata e Biden kanë pranuar se shumë gjëra rreth objekteve më të reja pa pilot mbeten të panjohura, duke përfshirë mënyrën se si ato qëndrojnë në ajër, kush i ka ndërtuar dhe nëse ata mund të kenë mbledhur të dhëna. /Telegrafi/