Site icon Telegrafi

Ushtria amerikane teston automatikun me Al

Kompania teknologjike Allen Control Systems (ACS) ka zhvilluar një sistem armësh autonome robotike të fuqizuar nga Inteligjenca Artificiale (Al) të quajtur “Bullfrog”, i cili mund të synojë dronët e vegjël duke përdorur softuer kompjuterik.

Siç raportohet, sistemi u testua nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes gjatë ngjarjes Technology Readiness Experimentation, që lejon kontraktorët si ACS të shfaqin teknologjitë e tyre në Pentagon.

Pamjet e fundit tregojnë armën e montuar në automjet që gjuan me lehtësi drone të vegjël nga qielli.

Dhe kjo lloj aftësie është më e rëndësishme se kurrë, pasi aeroplanët e vegjël dhe pa ekuipazh po bëhen gjithnjë e më të zakonshëm në fushën e betejës, shkruan Futurism, përcjell Telegrafi.

“Gjatë pushtimit rus të Ukrainës, ne pamë përhapjen e dronëve në të dy anët e konfliktit dhe lexuam në media të ndryshme se ukrainasit po gjuanin AK-47 në ajër në drejtim të tyre”, tha CEO i ACS, Steve Simoni.

“Ne menduam se ky është një problem robotik. Është e vështirë të godasësh diçka që fluturon kaq shpejt, por një robot mund ta bëjë këtë me vizionin kompjuterik të ditëve moderne dhe algoritmet e kontrollit të AI”,” shtoi Simoni.

Siç raportohet, ushtria amerikane po përdor një gamë të tërë sistemesh armësh të kontrolluara nga distanca dhe gjysmë autonome për të gjuajtur dronët kundërshtarë.

Në fillim të këtij viti, ushtria filloi të eksperimentonte me qen robotë të pajisur me pushkë në një strukturë testimi në Lindjen e Mesme.

ACS pretendon se Bullfrog është tepër i lirë për t’u përdorur, veçanërisht në krahasim me sistemet e armëve me lazer shumë më të komplikuar dhe më të shtrenjtë.

Por, sistemi ende kërkon dritën e gjelbër përpara se të hapë zjarr. Kjo për shkak se ka politika strikte kur bëhet fjalë për përdorimin e armëve autonome vdekjeprurëse.

Megjithatë, ACS është e prirur të sigurojë ushtrinë se është teknikisht e aftë për një operacion plotësisht autonom. /Telegrafi/

Exit mobile version