Ushtria amerikane ka përfunduar me sukses evakuimin e personelit të ambasadës amerikane nga Sudani, tha për Reuters një person i njohur me operacionin.
Burimi, i cili nuk pranoi t’i përmendet emri, nuk ofroi detaje shtesë rreth operacionit. Pentagoni nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, transmeton Telegrafi.
Evakuimet e shtetasve të huaj nga Port Sudan kanë filluar ndërsa sulmet ajrore tronditin kryeqytetin, Khartoum, ku përleshjet midis dy gjeneralëve shpërthyen një javë më parë, duke vrarë qindra dhe duke u zhvendosur dhjetëra mijëra.
Aeroporti në Khartoum është mbyllur dhe mijëra të huaj janë bllokuar, mes tyre punonjës të ambasadës dhe punonjës humanitarë.
Ushtria sudaneze tha se kishte rënë dakord të ndihmonte në evakuimin e shtetasve të huaj dhe njoftoi se SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe Kina do të evakuonin diplomatët dhe shtetasit e tjerë nga Khartoum në orët e ardhshme.
Spanja dërgoi katër aeroplanë në Xhibut për të evakuuar shtetasit e saj dhe të tjerë të huaj. Deri dje pasdite, Arabia Saudite kishte evakuuar 157 shtetas të saj.
Kuvajti njoftoi se disa nga qytetarët e tij kishin mbërritur në portin e Jeddah, dhe Jordania se kishte filluar evakuimin e 300 qytetarëve.
Kombet e Bashkuara dhe vendet e huaja u bënë thirrje komandantëve ushtarakë ndërluftues të respektojnë armëpushimin për të cilin kishin rënë dakord dhe të hapnin rrugë të sigurta për evakuimin e civilëve dhe dhënien e ndihmës thelbësore. /Telegrafi/