Telegrafi

Ushtari tajlandez vrau së paku 12 persona dhe sulmin e shfaqi drejtpërdrejt në Facebook, para se të bënte një selfie para qendrës tregtare që i vuri flakën

Jakapanth Thomma është ushtari tajlandez, që e vrau komandantin e tij dhe dy ushtarë tjerë, para se të hapte zjarr dhe t’i vriste së paku 12 persona, teksa gjithçka e shfaqi drejtpërdrejt në llogarinë e tij në Facebook.

Bangkok Post raporton se me të kryer sulmin ndaj ushtarakëve, ai është larguar me një xhip dhe ka shkuar afër një qendër tregtare në Korat, që ndodhet afro 300 kilometra larg kryeqytetit të Tajlandës, transmeton Telegrafi.

Me të kryer sulmin, ai ndaloi të bënte një selfie, para qendrës tregtare që i vuri flakën, kur shkaktoi një eksplodim, derisa po qëllonte me armë.

Ai ka shtënë me armë zjarri ndaj civilëve të pambrojtur, ndërsa nuk besohet se e kishte në shënjestër ndonjë prej tyre. Gjatë largimit nga qendra, ai ka vazhduar të qëllonte me armë, ndërsa thuhet se ka shtënë edhe në një tempull budist.

Në një video të postuar, shihen njerëzit që vrapojnë në drejtime të ndryshme, derisa në sfond dëgjohet të shtënat nga ky ushtar.

Deri më tani, thuhet se janë 12 të vdekur, ndërsa ka edhe viktima tjera që kanë mbetur të plagosur dhe të lënduar në mënyra të ndryshme. /Telegrafi/