Një ushtar koreano-verior ka kaluar në Korenë Jugore duke kaluar kufirin në këmbë, bën të ditur sot ushtria e këtij shteti.
Udhëheqësi i Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut ka thënë se zyrtarët ushtarakë janë duke e marrë në pyetje ushtarin që e ka kaluar zonën ushtarake të gjerë katër kilometra që ndan dy vendet.
Siç raporton AFP nuk është rast i shpeshtë që dezertorë nga Koreja Veriore të kalojnë këmbë kufirin nëpër fushat e minuara dhe që e ruajnë dhjetëra-mijëra ushtarë nga të dy vendet.
Herën e fundit kjo ka ndodhur në qershor të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Qeverisë në Seul, nga fundi i luftës më shumë se 29 mijë koreano-veriorë kanë ikur në Korenë e Jugut.