Ministria e mbrojtjes e Bosnjës tha të martën se ushtari Djordje Tojciç është “qortuar” pas procedurave disiplinore për lavdërimin e Ratko Mlladiç në një postim të tijin në Instagram.
Ditën kur Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë në Hagë dha vendimin për Mladiçin në nëntor të vitit të kaluar, Tojciç postoi një fotografi të kapeles së ish-komandantit ushtarak të Ushtrisë Serbe të Bosnjës nga lufta në faqen e tij në Instagram duke e shoqëruar me shkrimin “Europa e di, por nuk do të pranojë, gjenerali luftoi kundër terrorizmit”.
Tojciç gjithashtu shtoi mesazhin: “Faleminderit për gjithçka!!”
Procedurat disiplinore u nisën pasi një artikull mbi postimin e Tojciçit për Mlladiçin u botua nga BIRN Bosnja dhe Hercegovina.
“Procedura kundër ushtarit Djordje Tojciç u përfundua me dhënien e një mase disiplinore “qortuese” kundër autorit të një shkeljeje të disiplinës ushtarake,” tha ministria e mbrojtjes.
Ministria tha gjithashtu se po përpiqej të parandalonte incidente të ngjashme në të ardhmen.
“Masat e përmirësuara që synojnë parandalimin e incidenteve të ngjashme janë ndërmarrë ndër të tjera duke dhënë një paralajmërim shtesë dhe udhëzime të hollësishme se si anëtarët e Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës duhet të sillen në rrjetet sociale në përputhje me rregullat ekzistuese dhe dokumentet që i referohen kësaj fushë,” tha ministria.
Tojciç nuk është i vetmi anëtar i forcave të armatosura të Bosnjës i cili ka lavdëruar të pandehurit apo të dënuarit për krime lufte.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, janë zbuluar shtatë raste të tjera të pjesëtarëve të forcave të armatosura që kanë lavdëruar njerëzit e dënuar nga Gjykata e Hagës në rrjetet sociale.
“Pas procedurave disiplinore kundër tyre, ndaj këtyre personave janë marrë masat adekuate, në varësi të rëndësisë së shkeljeve të kryera, në përputhje me rregulloret në fuqi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës”, tha ministria.
Gjykata e Hagës gjeti Ratko Mlladiçin fajtor për gjenocid dhe krime të tjera të kohës së luftës. Ai po e apelon vendimin. /BalkanInsight/