Telegrafi

“Ushtari australian duke vrarë një fëmijë afgan”: Australia kërkon që Kina të kërkojë falje për postimin e një imazhi të rremë

Australia ka kërkuar që një zyrtar kinez të heqë një imazh të rremë të postuar në Twitter që përshkruan një ushtar australian që mban një thikë në fytin e një fëmije afgan.

Sipas SkyNews, përcjell Telegrafi, në një konferencë për media duke dënuar imazhin, kryeministri australian Scott Morrison e përshkroi atë si “me të vërtetë të neveritshme”.

“Është krejtësisht e egër dhe nuk mund të justifikohet në asnjë bazë”, tha ai. “Qeveria kineze duhet të jetë plotësisht e turpëruar nga ky postim”.

Sipas SkyNews, imazhi u postua të hënën nga zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Kinës Zhao Lijian, së bashku me mbishkrimin: “Të tronditur nga vrasja e civilëve dhe të burgosurve afganë nga ushtarët australianë. Ne i dënojmë me forcë akte të tilla dhe bëjmë thirrje që ata të mbajnë përgjegjësi”.

Një pretendim i tillë duket se i referohet një raporti të pavarur mbi vrasjet e pretenduara të paligjshme në Afganistan.

Qeveria australiane u ka thënë 13 ushtarëve të forcave speciale se do të përballen me pushimin nga puna për shkak të akuzave dhe tha se ka krijuar një proces “transparent dhe të ndershëm” për hetimin.

Marrëdhënia e Australisë me Kinën ka shënuar një rritje në tensione që kur Canberra bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar për origjinën e pandemisë së coronavirusit. /Telegrafi/