Site icon Telegrafi

Ushtari i akuzuar për fyerje ndaj shqiptarëve “Jemi nga Korça, nuk mund ta shaj familjen time”

Jeton i rrethuar me shqiptarë, thotë që prejardhjen e ka nga Korça,por e etiketuan se ai ka qenë pjesë e turmës që ofendoi shqiptarët në Krushevë. E për këtë shkak e fsheh fytyrën.

Unë jetoj në një ambient multietnik dhe të dërgoj një porosi të tillë është pak sa e çuditshme apo jo? Ja pra edhe ti je shqiptarë, as me juve nuk do të duhej të flas tani apo jo? Unë jam Maqedonas, por e kam prejardhjen nga Korça… kur unë do të ofendoja nacionalitete tjera, kurse Korça është në Shqipëri, atëherë unë do ta ofendoja edhe familjen time, deklaroi Martin Bogoevski.

Bogovski është pjesëtar i Ministrisë së Mbrojtjes, e këta të fundit kanë filluar më procedurë për hetimin e këtij rasti, me çka është formuar edhe komision. Ai nuk e mohon se ka qenë në Krushevë, por thotë se nuk ka marrë pjesë në incidentet që ndodhën. Por kjo nuk e brengos Bogoevskin, pasi që është i sigurt se do të del i pastër. Ai shqetësohet për një gjë tjetër.

Është rëndë tani që unë ta pastroj emrin tim para fqinjëve, miqve dhe kolegëve me të cilët me vite të tëra e ha bukën e njëjtë, shtoi Bogoevski.

Reagimet e shumta pati gjatë ditës së djeshme, por jo edhe nga ata që janë më të thirrur të reagojnë, të përzgjedhurit e popullit. OBRM-PDUKM lëshoi disa kumtesa me radhë duke akuzuar pushtetin për politikat e dëmshme për shtetin, por nuk e gjeti të arsyeshme të thotë asnjë fjalë për incidentin e djeshëm. Edhe kur u pyetën nga gazetarët, atyre asesi nga goja nuk u del fjalia “e dënojmë rastin që ndodhi dje”.

Gjuha e urrejtjes dhe incidentet nuk mund të gjeneralizohen dhe të dënohet i tërë populli maqedonas, i cili nuk pajtohet me politikën e kapitullimit të ZoranZaevit dhe marrëveshjes së dëmshme që e nënshkroi me Republikën e Greqisë, deklaroi Dimçe Arsovski nga OBRM-PDUKM.

Sipas burimeve brenda MPB-së, përveç hetimit që ka filluar në Ministrinë e Mbrojtjes, edhe MPB ka filluar procedura hetimi për disa policë që kanë qenë në Krushevë gjatë ditës së djeshme, të cilët dyshohen se nuk kanë vepruar në mënyrë adekuate dhe në kohë. /Tv 21/

Exit mobile version