Ushtarët sirianë kanë zgjedhur futbollin për të festuar çlirimin e qytetit Palmira nga terroristët e Shtetit Islamik, duke luajtur futboll derisa armët vazhdonin t’i mbanin në krahë, shkruan Independent.
Ushtria siriane ka rimarrë kontrollin e qytetit Palmira, edhe pse në periferi të këtij vendi vazhdojnë luftimet sporadike me xhihadistët, transmeton Telegrafi.
Konsiderohet se kjo është humbja më e madhe deri më tani e Shtetit Islamik. Kjo organizatë terroriste e kishte mbajtur nën kontroll këtë qytet që nga maji i vitit të kaluar.
Independent shkruan se më shumë se 400 islamistë janë vrarë në luftime.
Një nga gazetarët e parë që ka hyrë pas çlirimit të Palmiras ka komentuar duke thënë, “Sikur të ishte qytet fantazmë. Nuk kishte as edhe një njeri. Dyshohet se xhihadistët i kanë detyruar banorët të ikin bashkë me ata”. /Telegrafi/