Në kuadër të bashkëpunimit mes Forcave të Armatosura Turke dhe Forcës të Sigurisë së Kosovës, është realizuar me sukses trajnimi për pajisjen HAR-66.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se ky trajnim është realizuar në dy regjimentet e Forcave Tokësore me qëllim të rritjes së kapaciteteve luftarake dhe përgatitjes profesionale të pjesëtarëve të FSK-së.
“Bashkëpunim i vazhdueshëm mes dy forcave kontribuon në avancimin e aftësive operacionale dhe forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve. Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve të saj, për të qenë gjithnjë e më e gatshme për të përmbushur misionin dhe detyrat e saj”, thuhet në njoftim.
HAR-66 është një lloj granatahedhësi antitank me origjinë turke, i bazuar në dizajnin e raketëhedhësit amerikan M72 LAW. Ky sistem është i lehtë, portativ dhe njëpërdorimësh, i projektuar për të shkatërruar mjete të blinduara, si tanket dhe automjetet e tjera të mbrojtura.
– Karakteristikat kryesore të HAR-66:
– Kalibri: 66 mm
– Pesha: Rreth 2.3 kg
– Gjatësia: E hapur ~ 775 mm, e mbyllur ~ 630 mm
– Efektiviteti: Efektiv kundër blindimeve të lehta dhe mesatare
– Distanca maksimale e qitjes: Rreth 200 m (me saktësi optimale)
– Lloji i municionit: Koka luftarake HEAT (High-Explosive Anti-Tank), e cila mund të depërtojë deri në 300 mm çelik homogjen.
Ky lloj arme përdoret kryesisht nga Forcat e Armatosura Turke dhe disa vende të tjera që kanë blerë ose prodhojnë versione të ngjashme. HAR-66 është i përshtatshëm për operacione këmbësorie, duke i dhënë aftësi luftëtarëve për të goditur objektiva të blinduara pa pasur nevojë për artileri të rëndë. /Telegrafi/