Komanda e Forcave Tokësore të FSK-së ka realizuar trajnimin “Përdorimi dhe Mirëmbajtja e Armëve të Këmbësorisë”.
Sipas njoftimit, trajnimi u realizua në kuadër të bashkëpunimit që ka Forca e Sigurisë së Kosovës dhe ushtria turke.
Gjatë këtij trajnimi, pjesëmarrësit kanë përfituar njohuri për përdorimin dhe mirëmbajtjen e disa lloje të armëve të artilerisë së lehtë dhe të rëndë të kalibrave të ndryshëm si dhe granatave të dorës.
“Përveç përgatitjeve teorike ata demonstruan edhe shkathtësitë në përdorimin dhe gjuajtje me armë në caqe të caktuara, me të gjitha llojet e armëve që mësuan në trajnim”, thuhet në njoftimin për media.
Tutje bëhet e ditur se përkushtimi që treguan pjesëtarët e FSK-së dhe instruktorët nga kontingjenti turk, kanë bërë që pjesëtarët e FSK-së të arrijnë nivel të lartë profesionalizmi dhe aftësie në përdorimin e sigurt të armëve të këmbësorisë. /Telegrafi/