Site icon Telegrafi

Ushtarët britanikë në Kosovë testojnë shkathtësitë për reagim ndaj çdo situate sigurie

Një kontingjent prej mbi 300 ushtarësh nga Regjimenti Mbretëror i Yorkshire të Mbretërisë së Bashkuar ka mbërritur në Kosovë dhe ka nisur menjëherë ushtrimet.

Ushtarët aterruan të mërkurën e 18 shtatorit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, për t’iu bashkuar përkohësisht forcave rezervë të KFOR-it.

Në një njoftim nga KFOR-i, thuhet se ky grup tashmë ka nisur ushtrimet e planifikuara, që kryesisht fokusohen në siguri dhe në ruajtjen e stabilitetit rajonal.

“Regjimenti Mbretëror i Yorkshire po teston shkathtësitë dhe procedurat e tyre për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë,” njoftoi KFOR-i përmes platformës X.

Këto aktivitete janë pjesë e përgatitjeve rutinë të KFOR-it, me qëllim ruajtjen e gatishmërisë operative dhe aftësisë për të vazhduar zbatimin e misionit të tyre.

Stërvitja e quajtur “Ushtrimi Operativ Trajnues” ka nisur më 18 shtator dhe do të zgjasë deri në fund të tetorit 2024, duke përfshirë njësite të KFOR-it dhe forcat rezervë britanike.

Exit mobile version