Site icon Telegrafi

Ushtarakët amerikanë japin alarmin për një presidencë të dytë Trump

Sugjerimi i ish-presidentit Donald Trump se ushtria amerikane duhet të përdoret për t’u marrë me “armikun nga brenda” ka ringjallur shqetësimet rreth asaj që ai mund t’u kërkojë forcave amerikane të bëjnë nëse fiton një mandat të dytë si komandant i përgjithshëm.

Dhe janë drejtuesit e lartë ushtarakë që shërbyen gjatë presidencës së tij ata që kanë dhënë më qartë alarmin për Trumpin.

Ish-kryetari i Shefave të Përbashkët të Shtabit, Gjeneral Mark Milley, në librin “War” të Bob Woodwar, deklaroi se  “ish-presidenti është personi më i rrezikshëm për SHBA-në”.

Dhe së fundmi në podcastin e The Bulwark, Woodward tha se gjenerali Jim Mattis, i cili shërbeu si Sekretar i Mbrojtjes i Trumpit, i kishte dërguar email për t’i thënë se ishte dakord me vlerësimin që Milley kishte dhënë.

“Le të sigurohemi që të mos minimizojmë kërcënimin, sepse kërcënimi është i lartë”, tha Woodward.

Bëhet e ditur se Trump ka pasur prej kohësh një magjepsje me ushtrinë, duke i konsideruar si idhuj të tij gjeneralët e Luftës së Dytë Botërore, George Patton dhe Douglas MacArthur.

Si adoleshent, ai kënaqej me qëndrimin e tij në një shkollë me konvikt të stilit ushtarak në New York, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Pavarësisht nga kjo magjepsje, Trump mori shtyrje të shumta për të shmangur shërbimin në Luftën e Vietnamit.

Kur u bë president, ai e plotësoi kabinetin e tij me gjeneralë të lartë. Ai emëroi Mattis, një gjeneral në pension me katër yje në krye të Pentagonit; shefi i tij i shtabit John Kelly ishte një tjetër gjeneral në pension me katër yje dhe dy nga këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare ishin gjeneralë me tre yje, Michael Flynn dhe H. R. McMaster.

Gjithashtu, për faktin se ai e do madhështinë dhe ceremoninë e ushtrisë, loboi për një paradë masive të stilit të Kremlinit në Uashington, ndërsa ishte në detyrë.

Në fund, parada nuk ndodhi kurrë.

Por, pavarësisht marrëdhënies së Trumpit me ushtrinë, gjeneralët dhe admiralët e lartë në pension nuk e kanë dashur atë.

Disa madje duket se mendojnë se është ish-presidenti ai që është “armiku i vërtetë brenda”.

Katër vjet më parë, Mattis dha një deklaratë për revistën The Atlantic se “Donald Trump është presidenti i parë që nuk përpiqet të bashkojë popullin amerikan, por ta ndajë”.

Në mënyrë të ngjashme, Kelly tha për CNN vitin e kaluar se Trump është “një person që nuk ka asgjë tjetër veçse përbuzje për institucionet demokratike, Kushtetutën dhe sundimin e ligjit”.

Në librin e McMaster, “At War with Ourselves”, autori shkroi se si pasojë e humbjes elektorale të Trumpit në vitin 2020, “egoja dhe dashuria e ish-presidentit për veten, e shtynë atë të braktiste betimin për të mbështetur dhe mbrojtur Kushtetutën, detyrimi më i lartë i një presidenti”.

Ndërkohë, Gjenerali Stanley McChrystal, i cili revolucionarizoi Komandën e Përbashkët të Operacioneve Speciale, njësia përgjegjëse për vrasjen e Osama bin Ladenit në vitin 2011, shkroi një shkrim në The New York Times tre javë më parë duke thënë se ai do të votojë për zëvendëspresidenten Kamala Harris për shkak të “karakterit të saj .”

I padeklaruar në shkrimin e tij ishte vlerësimi i McChrystal për Trumpin, megjithëse në të kaluarën, McChrystal ka thënë se Trump është “imoral” dhe “i pandershëm”.

Udhëheqësi i operacionit të bin Ladenit ishte Bill McRaven, i cili në vitin 2020 shkroi një shkrim në Washington Post për Trumpin, duke thënë se “kur egoja presidenciale është më e rëndësishme se siguria kombëtare – atëherë nuk ka mbetur asgjë”.

Ndryshe, kjo nuk do të thotë se Trump nuk ka mbështetës mes gjeneralëve.

Ndërsa ish-presidenti ishte në detyrë, New America, një institucion kërkimor, përpiloi deklarata publike pro dhe kundër Trumpit nga oficerë në pension dhe në detyrë aktive.

Siç raportohet, 255 ishin kritikë ndaj Trumpit, ndërsa 54 të tjerë mbështesnin administratën e tij.

Një nga mbështetësit e republikanit është Gjenerali Keith Kellogg, i cili shërbeu si këshilltar për sigurinë kombëtare të zëvendëspresidentit Mike Pence. /Telegrafi/

Exit mobile version