Mirlinda Bejta
Nutricioniste Klinike
Nutricioniste për fëmijë dhe Adoleshent
tel. 044 265 664
mirlindabejta@gmail.com
Ambienti dhe ushqimi ideal për një shëndet të mirë?
Idealisht për të pasur një shëndet të mirë ne do të duhej të jetonim në kohën dhe ushqimin e paraardhësve tanë. Kjo do të thotë që ne të jetonim në një ambient të pastër, pa ndotje, të ushqehemi me ushqime nga natyra, të freskëta dhe organike, të pa procesuara, të pimë ujë të freskët natyral nga burimi, të bëjmë ushtrime trupore të vazhdueshme dhe të bëjmë një jetë të qetë pa strese.
Dieta perëndimore, armiku nr. 1 për organizmin tonë. Pse?
Fatkeqësisht, sot, po mbretëron Dieta Perëndimore ose e ashtuquajtura Dieta Moderne, e cila paraqet njëherazi armikun tonë kryesor përbrenda organizmit.
Kjo dietë si e tillë, është e pasur me sheqerna, karbohidrate të rafinuara, ushqime të procesuara, kafeinë, alkool, si dhe me ushqime të trajtuara në forma të ndryshme, të mbushura me plot pesticide, yndyra të saturuara dhe e mangë nga materiet ushqyese, vitaminat dhe mineralet e domosdoshme për organizmin tonë. Ajo çka e bënë edhe më të dëmshme këtë mënyrë të të ushqyerit, janë metodat e gatimit: fërgimi, zierja, përgatitja e ushqimeve nga skara, të cilat edhe më tej e rrisin numrin e radikaleve të lira apo të molekulave dëmtuese në organizmin tonë.
Radikale e lira janë molekula të cilave iu mungon nga një elektron dhe fillojnë t’i marrin elektronet nga molekulat e tjera të shëndosha duke i bërë edhe ato molekula radikale të lira, duke filluar kështu procesin zinxhiror të dëmtimit të molekulave të shëndetshme.
Ky proces zinxhiror i dëmtimit të molekulave njihet si oksidim dhe mund të parandalohet vetëm nga prania e antioksidantëve në organizmin tonë.
Kur ne kemi mungesë të antioksidantëve, siç është rasti me Dietën Perëndimore, ky dëmtim do të vazhdojë më tutje deri sa të fillojë dëmtimi i qelizave në trupin tonë. Dëmtimi i metutjeshëm i qelizave do të dëmtojë ADN-në, gjë e cila nuk ndodh brenda natës. Kështu organizmio yënë do të karaterizohet me imunitet të dobët, inflamacione trupore të larta, tretje të dobët, hipertension, osteoporozë, mosbalancim të hormoneve, asimilim të dobët të materieve ushqyese, sëmundje të zemrës, obezitet, shpejtim të procesit të plakjes, e madje-madje, edhe sëmundje të kancerit.
E gjithë kjo po ndodh për arsye se toksinet (helmet) dhe mbeturinat metabolike po e gjejnë shumë më shpejt mënyrën që të hyjnë në organizmin tonë se sa të eliminohen.
Prandaj, pa dyshim se qasja në mënyrën korrekte të ushqyerit është njëri ndër faktorët kryesor për ta parandaluar këtë dëmtim zinxhiror.
Çka përmban formula e ushqyeshmërisë korrekte?
Mënyra e ushqyeshmërisë korrekte është një formulë e gjerë në të cilën kam përfshirë një ushqim të balancuar, përdorimin e shtesave të ushqimit (vitaminave, mineraleve, antioksidantëve) dhe inkorporimin e të ashtuquajturve faktorë mbrojtës (protektorë) që janë ushtrimet e rregullta, ajri i pastër, gjumi i mjaftueshëm dhe ushtrimet relaksuese. Përjashtohen: sheqernat, ëmbëltuesit artificial, stimuluesit, alkooli, yndyrat e saturuara, stresi dhe duhani.
Ushqyeshmëria korrekte ka një numër të shumëfishtë të efekteve pozitive në shëndetin tonë të përgjithshëm. Secili proces që zë vend në organizmin tonë shfrytëzon energji. Kjo energji sigurohet nga ushqimi të cilin ne e konsumojmë dhe nga vitaminat dhe mineralet të cilat ne i marrim.
1. Një ushqim i shëndetshëm do të përforcojë mjaft shumë imunitetin tonë, i cili ripërtërihet çdo 7 ditë. Një imunitet i fortë do të zvogëlojë dukshëm gjasat për paraqitjen e sëmundjeve të ndryshme.
2. Ushqimi i balancuar dhe përdorimi i shtesave të ushqimit do të na ndihmojë shumë të mbajmë peshën tonë ideale të trupit.
3. Një formulë e ushyeshmërisë korrekte do të reduktojë dhe parandalojë një numër të madh të sëmundjeve të zemrës.
4. Një ushqim i pasur do të na ndihmojë të kemi dhëmbë dhe eshtra të shëndoshë.
5. Për ta përmirësuar sistemin e tretjes ne kemi nevojë për ushqimet më të shëndetshme që ekzistojnë. Kjo për arsye se çdo ditë organizmi ynë i prodhon 10 litra lëngje digjestive, për ta kryer tretjen, prandaj ne kemi nevojë për ushqime, vitamina dhe enzime natyrale për ta mbështetur këtë proces tejet delikat.
6. Një ushqyeshmëri e rregullt do të na ndihmojë të mbajmë nivelin korrekt të sheqerit në gjak duke na dhënë energjinë e duhur gjatë gjithë ditës.
7. Një ushqim i pasur me antioksidantë do të ngadalësojë dukshëm procesin e plakjes duke na bërë të dukemi më të rinj dhe plot vitalitet. Kjo është ajo të cilën ne të gjithë e dëshirojmë, pa marrë parasysh moshën në të cilën jemi.
Dhe për fund, çdo gjë qe ne bëjmë sot, në të ardhmen do të na shpaguhet me një dhuratë të vlefshme e që është një shëndet më i mirë. /Telegrafi/