Telegrafi

Ushqimi që zvogëlon apetitin

Humbja e peshës përcjell një ekuacion të thjeshtë: djegia e më shumë kalorive sesa që konsumohen. Për ta humbur më shpejt peshën mund të zvogëloni konsumin e kalorive. Por si të luftoni me urinë atëherë? Përgjigjja qëndron te ushqimi i cili zvogëlon apetitin ashtu që kurrë nuk keni nevojë të ndieni urinë.

Fatmirësisht, ka shumë ushqime të shëndetshme të cilat mund ta frenojnë apetitin në mënyrë të natyrshme. Ja disa prej tyre:

Molla
Një mollë në ditë jo vetëm që e mban mjekun larg, por ju ruan dhe nga ndjenja e urisë. Mollët kanë pak kalori dhe yndyra, por po ashtu janë të shkëlqyeshme edhe për frenim të apetitit sepse përmbajnë shumë fibra. Fibrat ndihmojnë të ndiheni të ngopur për një kohë të gjatë sepse zgjerohen apo përhapen nëpër lukth dhe duhet më pak ushqim për ta larguar urinë dhe parandalon ngrënien e tepërt. Mollët përmbajnë sheqernat natyrore të cilat mbajnë nivelin e shëndetshëm të sheqerit në gjak.

Hulumtimi i bërë në Brazil, në vitin 2003, ka zbuluar që femrat me kilogramë të tepërt të cilat kanë ngrënë tri molla apo dardha të vogla në ditë si pjesë e ushqimit të shëndetshëm, kanë humbur shumë më shumë peshë sesa ato që nuk kanë ngrënë molla. Studimi po ashtu tregon zvogëlim dukshëm më të madh të nivelit të glukozës në gjak mes atyre të cilët kanë ngrënë molla dhe dardha në krahasim me ato që nuk kanë ngrënë.

Qulli i tërshërës
Qulli i tërshërës është i pasur me fibra. Përmban karbohidrate të mira të cilat digjen ngadalë dhe kështu bëjnë që të ndiheni më pak të uritur. Përmbajtja e lartë e fibrave ofron më shpejt ndjenjën e ngopjes. Përveç kësaj, qulli i tërshërës është ideal për diabetikët, sepse ka indeks të ulët glikemik. Këtë ushqim të fuqishëm të mëngjesit mund ta pasuroni me qumësht, apo edhe më mirë me fara liri!

Fëstëkët
Fëstëkët përmbajnë acid pinolenik, yndyra natyrore gjysmë të pangopura të cilat e frenojnë ndenjën e urisë. Hulumtimi nga viti 2006 tregon që acidi pinolenik stimulon dy hormone mirë të njohura për frenimin e apetitit, kolecistokinin (CCK) dhe GLP1 (glukagon peptid). CCK dhe GLP1 shtypin apetitin duke dërguar sinjale në tru të cilat zvogëlojnë dëshirën për ushqim. Si pjesë e hulumtimit, 18 femra kanë deklaruar dëshirë 29 për qind më të vogël për konsumim të ushqimit, ndërsa 36 për qind kanë reduktuar konsumin e ushqimit. Po ashtu fëstëkët kanë sasinë më të madhe të proteinave, dhe kjo siguron furnizimin konstant me energji. Kështu që, porcioni i shëndetshëm i fëstëkëve gjatë ditës frenon apetitin nëse dëshironi të dobësoheni.

Liri
Përveç që është burim i shkëlqyer i acideve yndyrore omega 3, liri po ashtu është i pasur me fibra. Sa më shumë li të hani për çdo shujtë, aq më shumë kohë do të duhet që niveli i sheqerit të rritet në gjak. Si rezultat i kësaj, nuk sulmojnë hormonet e urisë. Pjesa më e mirë është që farat e lirit mund t’i përdorni në gjithçka që dëshironi të hani, sallata, pije të trasha të ëmbla me fruta, sandviçë.

Uji
Nëse vdisni për ushqim, por e dini që trupi juaj ka gjithçka që është nevojshme, duhet të pini më shumë ujë. Uji, një pije pa kalori, ndoshta është zgjidhja më e mirë për frenim të apetitit nëse dëshironi të humbni kilogramë. Pirja e ujit gjatë ditës edhe kur ndiheni të uritur mashtron trurin që stomaku është i mbushur. Studimet e kohës së fundit kanë vërtetuar që njerëzit të cilët kanë pirë dy gota ujë para ushqimit kanë humbur rreth 7 kg në 12 javë në krahasim me 5 kg te njerëzit të cilët nuk kanë pirë ujë.

Çaji i gjelbër
Çaji i gjelbër është i njohur për dobitë e veta antioksiduese. Por, po ashtu mund të stimulojë lirimin e hormonit i cili mund të kontrollojë apo kufizojë nevojën për ushqim. Çaji i gjelbër shpejton metabolizmin dhe ofron energji. Po ashtu rrit djegien e yndyrave dhe ndihmon të digjni deri në 43 për qind më shumë yndyra.

Proteinat e hirrës
Proteinat e hirrës do të ndihmojnë në ndërtimin e muskujve, por edhe në dobësim. Hulumtimet tregojnë që proteinat e hirrës kanë ndikim në hormone të cilat nxisin ndjenjën e ngopjes. Në hulumtimin e kryer në Australi, 22 meshkuj të dobët dhe të shëndetshëm kanë konsumuar proteinat e hirrës, tuna, pulë. Hulumtuesit kanë gjetur nivele më të ulëta të glukozës si përgjigje në grupin e proteinave të hirrës, në krahasim me ata të cilët kanë ngrënë proteina të tjera. Proteinat e hirrës kanë shumë përparësi të tjera, duke përfshirë edhe funksionimin e rritur të sistemit të imunitetit dhe rregullimin e tensionit të gjakut.

Supat
Çdo dietist do të rekomandojë të paktën dy pjata supë me pak kalori, nëse jeni në dietë. Supat ndrydhin apetitin për shkak të përmbajtjes së madhe të ujit, ndërsa ndihmojnë në dobësim për shkak të kalorive të vogla. Supat e mishit dhe perimeve janë opsioni më i mirë, transmeton Koha.net. Studimin të cilin e kanë kryer hulumtuesit në Pennsylvania State University kanë zbuluar që meshkujt dhe femrat të cilat kanë konsumuar dy pjata të supës me pak kalori kanë humbur peshë 50 për qind më shumë sesa ata të cilët kanë konsumuar numrin e njëjtë të kalorive nga gjërat e lehta ushqimore si shkopinjtë e njelmët, çipsat, etj.

Sallatat
Hani pak sallatë para gjellës kryesore për ta shmangur ngrënien e tepërt. Përmbajtja e lartë e fibrave mund të shtyjë hyrjen e glukozës në qarkullim të gjakut dhe nuk do ta ndieni urinë shumë shpejt. Hulumtimi i kryer në Journal of American Dietetic Association thekson që femrat të cilat kanë ngrënë sallatë të thjeshtë prej 100 kalorive para darkës konsumojnë 12 për qind më pak kalori gjatë shujtës.

Çokollata e zezë
Nga të gjitha gjërat e përmendura në listë, kjo do të jetë më e lehta për ta përfshirë në ushqim. Vetëm kujtoni që sasitë e vogla të çokollatës së zezë janë të mira për ju. Shija e hidhët e çokollatës së zezë ndihmon në frenim të apetitit. Disa studime tregojnë që antioksidantet nga çokollata e zezë mund të veprojnë si shtypës të apetitit dhe në këtë mënyrë ndihmojnë të humbni peshën dhe t’i kundërviheni sheqerit në gjak.

Harroni dietat ekstreme dhe shijoni këto ushqime! /Telegrafi/