Site icon Telegrafi

Ushqimi i mirë, ushqim i keq!

Endri Haxhiraj

Fillesa e ushqimit komercial për kafshët shtëpiake i ka rrënjët që një shekull më parë. Një njeri i quajtur Xhejms Sprat kuptoi se duke mbledhur mbeturinat e thertoreve mund të bënte një biznes shumë të mirë duke i pastruar dhe paketuar ato. Në fakt sot, shumë nga ato që “dimë” për ushqimin e kafshës sonë dhe dietës së tyre mund të mos jenë korrekte, keqinformim që mund t’i kushtojë shëndetin kafshës.

Një ushqim që qëndron të paktën një vit në pritje për tu shitur mendohet se është i kompletuar. Çfarë ndodh me përbërësit e ushqimit?… Shqetësimi vazhdon me tej, a mund të shkaktojnë ato probleme shëndetësore?… Jo të gjitha ushqimet komerciale i sigurojnë të gjithë përbërësit e nevojshëm që macja ose qeni të kenë një shëndet të mirë. Madje, ato mund të përmbajnë materiale të panevojshme sikurse kimikate dhe konservantë.

Një shembull i këtyre konservantëve që gjenden shpesh është glikol izopropileni (ang: ispropylene glycol). Ai përdoret për të mbajtur ushqimet e lagështa në mënyrë të freskët. Nga ana tjetër, ai është shpesh shkak i anemisë dhe “i fryrjes” së kafshës.

Gjithashtu, sipas disa investigimeve, thuhet se ekzistojnë ushqime për kafshë të quajtura “Natyrale” ose “Premium”, por që prodhohen me përbërës të një cilësie të dyshuar. Simptoma të një diete të tillë shpesh përfshin: erë të keqe nga goja, kruajtje të lëkurës, lëkurë e thatë dhe gazra intestinal. Një sëmundje që mund t’i atribuohet disa ushqimeve komerciale është diabeti në mace. Si konkluzion, disa prodhues të mëdhenj të ushqimit përdorin përbërësit më të lirë të mundshëm pa marrë parasysh pasojat mbi shëndetin e kafshëve shtëpiake.

Çfarë mund të bëjë një pronar? Mund të rekomandohen dy opsione: Ose ushqimi të përgatitet vetë (por që kërkon kohë) ose të bëhet kontrolli i etiketës së ushqimit, origjinës së tij, madje të pyetet edhe fabrikuesi nëpërmjet internetit.

Si mund të zbulojmë nëse një produkt ushqimor komercial është i shëndetshëm?

– Përbërësit ushqimor renditen në rend zbritës dhe të parat vijnë proteinat. Ushqimet që nuk e rendisin proteinën të parën duhet të shmangen.

– Etiketat janë kryesisht anglisht kështu që ju duhet të zgjidhni disa fraza në vend të disa të tjerave: “Whole Grain” në vend të “Wheat middling” ose “Corn gluten”. Ato janë mbeturina të ushqimi të njerëzve dhe nuk janë të shëndetshme.

– Zgjidhni ushqimet me konservantë natyral, p.sh., Vit C (ascorbic acid), Vit. E (mixed tocopherols) që janë njëkohësisht dhe antioksidantë. Shmangni ethoxyquin (konservanti më karcinogjen), BHA, BHT, glikol propilenin (propylene glycol) dhe Propionat Calciumi (konservant kimik, antikërpudhor me efekte karcinogjene).

– Shmangni ushqimet me aromatizues artificial si acidi fosforik (phosphoric acid).

– Tetra sodium pyrophosphate, është shumë toksik dhe shkakton diarre.

– Shmangni ngjyruesit artificial si azo, azo dyes, nitrit sode dhe Red 40 (karcinogjen).

– Duhet të zgjidhni ushqime që përfshijnë acided yndyrore thelbësore të rëndësishëm për alergjitë, artritet dhe parandalimin e kancerit.

Përpara blerjes së një ushqimi komercial për kafshën, pronari duhet të ketë parasysh:
– Leximin e etiketës së përbërësve të ushqimit në vitrinë dhe krahasimin e saj me listën e duhur që mund të nxirret nga interneti ose veterineri.

– Reklamat e tipit “Ushqim Natyral” etj., në ambalazhet e ushqimit janë të pa vlera. Të gjitha ushqimet për kafshët shtëpiake virtualisht janë natyrale, madje edhe ato që përdorin kimikate që shkaktojnë kancer. Për të tilla reklama nuk ka rregulla të veçanta prandaj zgjedhja është në dorën e pronarit.

– Shumë prej ushqimeve për kafshët shtëpiake përdorin ngjyrosës artificial dhe shtesa ushqimore (kimikate) për të qenë më të tërheqshme nga pamja e jashtme për pronarët. Gjithsesi të tillë ngjyrosës janë potencialisht karcinogjenë.

– Zakonisht ushqimet në supermarketet gjigante ofrojnë ushqimin më të dobët që nuk i dihet origjina. Zgjedhja më e mirë është tek ata që mund të të ofrojnë informacion mbi origjinën e ushqimit dhe përbërësit. /Telegrafi/

Exit mobile version