Site icon Telegrafi

USAID partner i rëndësishëm i RMV-së në arritjen e qëllimeve strategjike

Agjencia e Zhvillimit e SHBA-së (USAID) është partner kyç i Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë 30 viteve të fundit në arritjen e qëllimeve strategjike dhe standardeve për anëtarësim në NATO dhe BE. Kjo u konstatua në takimin e ministrit të Financave Fatmir Besimi, me përfaqësuesin e USAID-it në vend Erik Janovski, mandati i të cilit përfundon në gjysmën e dytë të muajit prill të vitit 2022.

Siç kumtojnë nga Ministria e Financave, në këtë takim, ministri Besimi falënderoi për bashkëpunimin e deritanishëm dhe përkrahjen e marrë nga Janovski dhe nga Programi i USAID-it në vendin tonë dhe i uroi suksese në karrierën e tij të mëtejshme. Ministri vlerësoi se përkrahja e tyre është e rëndësishme për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe se pret që ajo të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Bashkëpunimi mes dy vendeve u konkretizua përmes Strategjisë për zhvillim dhe bashkëpunim sa i përket periudhës 2020-2025, ku parashihet përkrahje prej 56.6 milionë dollarëve, me të cilat USAID e ndihmon vendin tonë të ketë rol udhëheqës në arritjen e zhvillimit të tij, si aleati më i ri dhe si vendi anëtarë i 30-të i NATO-s, përgjatë fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Në kuadër të kësaj Strategjie, në vitin e kaluar u nënshkruan disa marrëveshje për grante përmes së cilave u aprovuan mjete financiare me vlerë prej 11.8 milionë dollarëve nga gjithsej 56.6 milionë dollarë, të destinuara për përforcimin e konkurrencës ekonomike dhe për luftën kundër korrupsionit.

“Ministria e Financave dhe USAID punojnë së bashku edhe në përforcimin e kapaciteteve të komunave dhe avancimin e decentralizimit fiskal. Në këtë drejtim janë paraparë aktivitetet përmes projektit pesëvjeçar “Përforcimi i aktivitetit për mobilizimin e resurseve” me vlerë të përgjithshme prej 6.5 milionë dollarëve. Gjithashtu, konfirmohet pjesëmarrja e ministrit Besimi në konferencën e organizuar lidhur me projektin e USAID-it me temë “Partnerë të rinjë dhe buxhetim më i mirë komunal” që do të mbahet më datë 6 prill”, informojnë nga Ministria e Financave.

Përkatësisht, USAID deri më tani ka investuar mbi 833 milionë dollarë për qëllime zhvillimore në vend.

Exit mobile version