Misioni i USAID në Maqedoni, përmes projektit për punë praktike dhe punësim të personave me aftësi të kufizuar, ka ndihmuar punësimin e 169 personave në kompani private, institucione publike dhe Organizata joqeveritare nga të cilët 12 persona janë vetëpunësuar. Qëllimi i këtij projekti i cili zgjati katër vite, ishte që të rritet pjesëmarrja e kësaj kategorie të personave në shoqëri si dhe të përmirësohen shkathtësitë e tyre përmes trajnimeve dhe punës praktike, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Drejtor i Misionit të USAID në Shkup, James Stein, gjatë përmbylljes së këtij projekti, bëri thirrje që të vazhdohet me rritjen e mundësive për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar.
“Personat me aftësi të kufizuar janë persona me shumë aftësi dhe duhet ti kenë të drejtat dhe mundësitë e barabarta me të tjerët. Sigurimi i këtyre mundësive ishte edhe qëllimi i këtij projekti. Përkundër asaj që sot festojmë, akoma ka shumë për të bërë që të sigurojmë të drejtat e personave me aftësi të kufizuar”, ka thënë Drejtori i Misionit të USAID, James Stein.
Ndërkohë, përfaqësuesi i kompanisë Eurozgjimi, Murat Kasami, ka thënë se kjo kompani ka bashkëpunuar me USAID në kuadër të këtij projekti dhe janë të kënaqur nga ky projekt edhe punëtorët por edhe punëdhënësit.
“Para këtij projekti jemi afërsisht 5 vite që kemi punësime të personave me aftësi të pakufizuar. 4 vite kemi bashkëpunim me USAID, kemi pasur edhe punësime të reja në bashkëpunim me projektet e USAID-it”, ka deklaruar Murat Kasami nga Kompania Eurozgjim.
Në kuadër të këtij projekti janë realizuar edhe 90 angazhime të punës praktike për persona me aftësi të kufizuar./Telegrafi/