Site icon Telegrafi

USAID-i ndan 1.5 milion dollarë për dy programe të reja

Agjencioni i Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) njoftoi lidhur me dy programe të reja që synojnë ndërtimin e shkathtësive dhe aftësive të fuqisë punëtore për rininë e Kosovës.

Përmes këtyre programeve, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka ndarë rreth 1.5 milion dollarë amerikan për realizimin e këtij qëllimi.

“Partneriteti për Ndikim në Sektorin e Veshmbathjeve dhe Partneriteti për Ndikim në Teknologjitë e Informacionit do t’u sigurojnë  kosovarëve të rinj që hyjnë në fuqinë punëtore shkathtësitë e duhura.  Papunësia e lartë tek të rinjtë është njëra ndër çështjet kyçe me të cilat ballafaqohet Kosova meqë aktualisht të rinjtë kanë gjasa dyfish më të mëdha që të jenë të papunë se pjesa tjetër e të rriturve.   Është e vështirë që të përmbysen shifrat kur kihet parasysh se gjysma e popullatës së Kosovës është nën moshën 25 vjeç, ndërsa sistemi arsimor është i paaftë që t’i pajisë ata me njohuritë dhe shkathtësitë e domosdoshme për t’i plotësuar kërkesat e tregut të fuqisë punëtore, sidomos në sektorin privat”, thuhet në njoftim.

“Për të qenë të suksesshëm në vendin e punës apo si ndërmarrës, të rinjtë duhet të zhvillojnë shkathtësitë e duhura të komunikimit, shkrimit dhe të menduarit kritik që i bëjnë ata të kenë vetëbesim, gatishmëri dhe sukses si punëtorë në cilëndo fushe”, ka thënë drejtori i USAID-it për Kosovën, James Hope.

Të dy komponentat e Partneritetit për Ndikim u sigurojnë të rinjve trajnime duke u lehtësuar shfrytëzimin e mundësive për vetëpunësim në sektorët e teknologjive të informacionit dhe veshmbathjeve.

USAID-i po punon drejtpërdrejtë me dy partnerë të sektorit privat në implementimin e programeve: Shoqatën Kosovare për Marketingun e Veshmbathjeve (KAMA) dhe Cacttus Education.  Partneriteti për Ndikim në Sektorin e Veshmbathjeve fokusohet në punën praktike, veçanërisht për gratë e reja, me qëllim të avancimit të shkathtësive të tyre dhe zgjerimit të qasjes në kompanitë e veshmbathjeve për punësim.  Partneriteti për Ndikim në Teknologjitë e Informacionit fokusohet në lehtësimin e shfrytëzimit të mundësive për vetëpunësim përmes inkubacionit dhe ndërmarrësisë, kombinuar me praktikë profesionale dhe vendosje në punë.

Exit mobile version