Telegrafi

USAID-i ofron mjete për mbrojtjen e pronës intelektuale IT-së

USAID-i e zhvilloi ‘Udhëzuesin për kontratat e pronës intelektuale’ si një mjet që do t’i ndihmojë profesionistëve të TIK që t’i mbrojnë krijimet e tyre, duke i kuptuar proceset rregullative që ekzistojnë, dhe duke i plotësuar hapësirat përmes kontratave të hartuara me kujdes.

Udhëzuesi do t’i japë besim që prona intelektuale është e sigurt nga përdorimi i paautorizuar. Lidhur me këtë, manuali po ashtu do të shërbejë për trajtimin e mungesës së kornizës ligjore të të drejtave solide të pronës intelektuale (IPR) në Kosovë.

“Prona intelektuale është një institucion i cili i mbron vlerën ekonomike të krijimeve – siç janë veprat specifike të artit, librat, muzika dhe softuerët kompjuterik. Ajo i mbron inovacionet dhe krijimet me Patentë, Markë, Fshehtësi të profesionit dhe të Drejtën autoriale” tha Luljeta Plakolli, hartuese e udhëzuesit.

Udhëzuesi për PI, në mënyrë të qartë dhe gjithëpërfshirëse e paraqet kornizën ligjore për mbrojtjen e PI-së në Kosovë, si dhe realitetet e implementimit të kësaj për bizneset në Kosovë. Mandej ky i ndihmon biznesit të TI-së për hartimin e kontratave të veta me blerësit e pronës intelektuale dhe me punëtorët që e krijojnë atë në emër të kompanisë, ashtu që hapësirat në ligj të plotësohen për mbrojtje adekuate të kompanive Kosovare.

“Sektori i shërbimeve të TI-së është një prej sektorëve me zhvillim më të shpejtë në industrinë e TIK-ut në Kosovë, duke punësuar gjeneratën e re të profesionistëve kompjuterikë të Kosovës. Kompanitë për zhvillimin e softuerëve do të kenë më shumë stimulime për zhvillimin e zgjidhjeve të reja dhe inovative kur ata të sigurohen që produktet e tyre do të jenë të mbrojtura nga piratëria dhe falsifikimi,” tha Mark Wood, Drejtor i KPEP-it.

Programi për Ndërmarrje Private në Kosovë i USAID-it është një nismë katër vjeçare. /Telegrafi/