Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë Phillip S. Kosnett, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia dhe koordinatorja e OKB-së për Kosovën Ulrika Richardson, vizituan sot qendrën shpërndarëse të Kryqit të Kuq në Prishtinë.
Vizita shënoi nisjen zyrtare të partneritetit midis Agjencisë̈ së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID-it) dhe Fondit të Fëmijëve të Kombeve të Bashkuara (UNICEF-it) në luftën kundër COVID-19.
“SHBA kanë hyrë në partneritet me UNICEF-in në Kosovë për të ndihmuar familjet dhe institucionet që janë në vijën e parë të kësaj beteje. Vetëm një përgjigje e unifikuar ndërkombëtare është efektive kundër këtij kërcënimi global. Së bashku mund të mposhtim COVID-19,” tha ambasadori Kosnett gjatë vizitës.
Qeveria e SHBA-së përmes USAID-it, ka ndarë 1.1 milion dollarë për të ndihmuar Kosovën në luftën kundër pandemisë COVID-19 dhe zbutjes së pasojave të saj.
Kompletet higjienike për familje, të financuara nga Qeveria amerikane, do të shpërndahen në 26 komuna. Përveç kësaj, kompletet e higjienës për familje dhe foshnje për gratë shtatzëna të margjinalizuara dhe fëmijët e tyre do të shpërndahen në 31 komuna, ndërsa kompletet higjienike për qendrat mjekësore familjare do të shpërndahen në të 38 komunat.