Pasi Wimbledoni ka ulur pak ditë më parë siparin, vëmendja e sportit të tenisit do të përqendrohet pas një muaji në një tjetër grand slem, atë të US Open (në mes është Olimpiada e Rios).
Pas daljes së Britanisë nga Euro dhe problemeve në bursë, Wimbledoni pësoi një rënie drastike të premiove për tenistët, pak ditë para se të niste Grand Slami. Ndaj dhe organizatorët e turneut amerikan kanë si qëllim që të bëhen turneu më tërheqës për tenistët, duke u dhënë atyre shuma marramendëse.
Më 29 gusht do të nisë US Open dhe organizatorët e këtij turneu do të japin një premio prej 46.3 milionë dollarë për tenistët, 10% më shumë se një vit më parë. Madje fituesit e këtij turneu, si për meshkuj ashtu dhe për femra, do të fusin në xhepa shumën prej 3.5 milionë dollarë. Kjo shumë kalon atë të Wimbledonit, që këtë vit shpërndau 37.2 milionë dollarë për tenistët. Ndërkohë që në Amerikë synojnë që vitin tjetër premio për tenistët të kalojë shifrën e 50 milionëve.
“Jemi krenarë që do t’u ofrojmë tenistëve një shumë të tillë parash, më e madhja në historinë e tenisit. Ne vazhdojmë të investojmë në çdo sektor të këtij eventi botëror, për të ofruar shërbime më të mira, duke afruar sa më shumë publik dhe sponsorë”, tha Katrina Adams, president e Federatës Amerikane të Tenisit. Këtë vit, fusha kryesore e US Open, që mban emrin “Arthur Ashe”, do të jetë me çati lëvizëse, që mund të mbyllet në rast shiu, ndërkohë që do të inaugurohet edhe një fushë e re.