Nga: Catherine De Vries dhe Isabell Hoffmann / The Guardian (titulli origjinal: Ursula von der Leyen tani është një emër i njohur – dhe ky mund të jetë shpëtimi i Evropës)
Përkthimi: Telegrafi.com
Teksa 400 milionë qytetarë të BE-së bëhen gati për të hedhur votat në zgjedhjet evropiane të qershorit, sondazhi i ri tregon se Ursula von der Leyen është ajo që – si asnjë shef tjetër i BE-së përpara saj – tërheq vëmendjen e votuesve.
Sondazhi ynë tregon se shumica e madhe e evropianëve, sot, janë të vetëdijshëm se ajo është presidentja e Komisionit Evropian, e institucionit që konsiderohet si zyra më e fuqishme politike në BE. Shefat e mëparshëm të BE-së kanë qenë kryesisht të panjohur për publikun. Por, pothuajse 75 përqind e evropianëve janë në gjendje ta identifikojnë saktë emrin von der Leyen, si dhe ta njohin fytyrën e saj. Pesë vjet më parë, paraardhësin Jean-Claude Juncker e njihnin vetëm 40 përqindëshi i respondentëve.
Po bëhet çështje urgjente presioni për reformën në BE. Me luftën e ndezur në Ukrainë dhe në Gazë, si dhe me ftohjen e marrëdhënieve midis Kinës dhe ShBA-së, BE-ja ka nevojë për integrim më të thellë të mbrojtjes për të përballuar sfidat e shtuara gjeopolitike. Bashkimi ekonomik dhe monetar mund të mos jetë i qëndrueshëm pa integrimin më të ngushtë fiskal dhe pa një treg të vetëm më të fuqishëm. Teknologjitë e reja duhet të shfrytëzohen për ta krijuar prosperitetin për brezin e ardhshëm dhe BE-ja me 27 shtete është e përkushtuar të zgjerohet për t’u bërë bashkim prej 30 ose më shumë vendeve anëtare.
Por, përgjegjësia e saj demokratike mbetet e dobët. Jo vetëm që janë të ulëta pjesëmarrja dhe interesi për zgjedhjet e drejtpërdrejta pesëvjeçare për Parlamentin Evropian, por rezultatet kanë ndikim të kufizuar në animet politike të Komisionit i cili e formon dhe zbaton politikën për BE-në.
Megjithatë, një dritare e mundësive tani po hapet, pasi von der Leyen – e emëruar për herë të parë m 2019 – po kandidon për mandatin e dytë pesëvjeçar. Kryetarët e komisioneve zgjidhen nga eurodeputetët, por fillimisht duhet të emërohen nga krerët e qeverive të BE-së.
Ndërgjegjësimi i publikut për reagimet e koordinuara të BE-së ndaj dy krizave të mëdha të cilat janë shpalosur gjatë mandatit të parë pesëvjeçar të von der Leyenit – pandemia e Kovidit-19 dhe lufta në Ukrainë – e ka ngritur profilin e saj përtej paraardhësve. Udhëheqësit e Evropës duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
Sigurisht, në një sistem gjithnjë e më të personalizuar, fama dhe njohja publike e von der Leyenit gjithashtu lë të metat e saj – për shembull tendencën për të vepruar e vetme – më të hapura ndaj kritikave. Në një udhëtim të paplanifikuar në Izrael, pas sulmeve të 7 tetorit, shprehu mbështetje të pakushtëzuar për Izraelin. Kjo mund të mos ishte e pavend po të ishte presidente e ShBA-së. Por, vendet anëtare të BE-së ishin të ndara për këtë çështje. Diplomati më i lartë i BE-së, Josep Borrell, dha një qortim të shpejtë publik ndaj von der Leyenit meqë ajo supozoi se foli në emër të të gjithë BE-së.
Për më tepër, profili i ngritur i von der Leyenit nuk do të bëjë asgjë për ta ndihmuar në arritjen e fitores – në zgjedhjet e Parlamentit Evropian – të “koalicionit të madh” të grupeve socialdemokrate, konservatore dhe liberale që mbështesin politikat të cilat ajo i promovoi gjatë mandatit të parë.
Në vend të kësaj, ka të ngjarë të shohim anim për të djathtën dhe një Parlament të ri që është më i fragmentuar se kurrë, pasi votuesit po e shprehin zemërimin dhe zhgënjimin me dështimin e liderëve kombëtarë dhe evropianë për të adresuar sfidat e shtuara ekonomike dhe politike të kontinentit. Kjo ka të ngjarë të rezultojë me një bllok dukshëm më të madh se kurrë të anëtarëve populistë dhe nacionalistë të së djathtës radikale.
Megjithatë, këto zgjedhje gjithashtu e ofrojnë një mundësi. Me sfondin politik në partinë Kristian-Demokrate (CDU) të Gjermanisë, von der Leyen është “kandidatja kryesore” e Partisë Popullore Evropiane (EPP) – grupimi i qendrës së djathtë të CDU-së. Meqenëse EPP-ja parashikohet të mbetet grupi më i madh parlamentar në legjislaturën e ardhshme, kjo duhet të sigurojë se – nëse kryeministrat e BE-së gjithashtu e mbështesin – shumica e eurodeputetëve do ta zgjedhin atë të jetë në krye të Komisionit deri në vitin 2029. Për më tepër, me profilin unik publik të von der Leyenit, votuesit për herë të parë duhet të jenë në gjendje të shohin lidhjen më të qartë demokratike midis rolit të tyre në zgjedhjen e drejtpërdrejtë të eurodeputetëve dhe të emërimit të presidentit të Komisionit. Kjo mund të sigurojë mandatin vendimtar për veprimin politik.
Duke u kthyer me mandat të ri, konservatorja gjermane duhet të mësojë nga manuali i paraardhësit të saj më të njohur – nga socialisti francez Jacques Delors. Delorsi e përdori mandatin e vet të dytë për të përcaktuar planin për bashkimin ekonomik dhe monetar, ndërsa e filloi procesin që çoi në Traktatin e Mastrihtit të vitit 1992. Von der Leyen duhet të propozojë një axhendë të reformave po aq ambicioze – duke kërkuar krijimin e mbështetjes të gjerë brenda komisionit dhe midis qeverive të BE-së (të cilat e përbëjnë Këshillin ligjbërës Evropian) dhe grupeve politike në Parlamentin Evropian. Kjo axhendë e reformave duhet të jetë më shumë sesa gatishmëria e institucioneve të BE-së për zgjerimin e mundshëm në 30 anëtarë; duhet të fokusohet edhe në politikë.
Reforma sigurisht që është më e vështirë me 27 shtete anëtare sesa me duzinën në ditët e Delorsit. Megjithatë, ndryshe nga Delorsi, von der Leyen do të jetë në gjendje të pretendojë se e ka mbështetjen e votuesve të Evropës dhe kjo gjë mund ta përbëjë ndryshimin kritik.
Në vend që të presin për krizën e ardhshme, është e domosdoshme që liderët evropianë që tash të hartojnë dhe miratojnë reformat të cilat do ta përforcojnë aftësinë e BE-së për të vepruar. Duke vepruar kështu, ata e kanë një udhëheqëse, von der Leyenin – një ndërmjetëse e dëshmuar e cila ia ka dhënë ekzekutivit të Brukselit një fytyrë publike.
Nëse liderët kombëtarë e mbështesin, ajo mund ta shfrytëzojë mbështetjen për ta ofruar remontin e unionit për zgjerim – për të çfarë BE-ja ka shumë nevojë në një botë të trazuar. /Telegrafi/