Site icon Telegrafi

Ursula von der Leyen është përballur me një tjetër moment të sikletshëm, pas “skandalit Sofagate” me Erdoganin në Turqi

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e gjeti veten përsëri në një situatë të pakëndshme të premten, kur ajo u injorua nga ministri i jashtëm i Ugandës.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, incidenti u shpalos gjatë një fotografie protokollare, ku von der Leyen mori pjesë së bashku me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Zyrtarja përshëndeti kryediplomatin e Ugandës, Abubakhar Jeje Odongo, i cili në dukje e injoroi atë dhe kaloi pranë saj për të shtrënguar duart me dy burrat, siç edhe tregojnë pamjet.

Ministri përshëndeti Michel dhe Macron, duke u angazhuar në një bisedë me të dy.

Odongo më pas qëndroi për foton e protokollit, ende “pa e vërejtur” von der Leyen.

Dhe u desh një përpjekje nga Macron që bëri shenjë në drejtimin e saj për të tërhequr vëmendjen e Odongo te presidentja e Komisionit.

Më pas ai shkëmbeu fjalë për pak me të dhe u largua.

Incidenti nxiti menjëherë krahasimet me skandalin famëkeq të ‘Sofagate’ që u pa në prill të vitit të kaluar.

Në atë kohë, von der Leyen vizitoi Turqinë së bashku me Michel, duke takuar presidentin e vendit Recep Tayyip Erdogan.

Zyrtarja mbeti e ulur vetëm në një divan, ndërsa Erdogan dhe Michel u ulën në karriget pranë njëri-tjetrit gjatë bisedimeve. /Telegrafi/

Exit mobile version