Site icon Telegrafi

Urrejtja e madhe e Francës

Noëlle Lenoir

Fitorja e papritur e Emmanuel Macronit në zgjedhjet presidenciale franceze të vitit 2017, me 66 për qind të votave, bëri që Franca të duket, të paktën për disa, një strehë e sigurt nga populizmi që po mbërthente politikën evropiane.

Triumfi i tij erdhi si një lehtësim për një shumicë të madhe të francezëve, si dhe për qeveritë e tjera në Bashkimin Evropian dhe në mbarë botën. Por, fitorja e Macronit nxiti një formë çrregullimi thuajse histerik midis kundërshtarëve të tij në të djathtën ekstreme dhe të majtën. Protestat gjithnjë e më të dhunshme, raciste dhe antisemitike të “Jelekverdhëve” janë manifestimi i dukshëm i atij zemërimi.

E vërtetë, një pjesë e fajit është i Macronit dhe i disa teknokratëve të ekipit të tij. Në veçanti, rritja e ndjeshme e taksave mbi karburantin e deklaruar në nëntor 2018 – një masë që synonte të çonte para agjendën e klimës së presidentit, ndërkohë që do të ndihmonte edhe në balancimin e buxhetit – goditi në mënyrë disproporcionale votuesit ruralë. Kjo shkaktoi rebelimin e “jelekëverdhëve”. Por, ndërsa protestat janë zvogëluar në përmasë dhe janë intensifikuar në dhunë, Macrono dhe ajo që ai përfaqëson janë bërë fokusi i urrejtjes së ekstremistëve.

Por, Macroni deri tani ka bërë përpara, pavarësisht protestave, me reformat që ai premtoi gjatë fushatës së tij. Ligjet për të rritur fleksibilitetin e tregut të punës, për të siguruar sjelljen etike të zyrtarëve të zgjedhur dhe nëpunësve civilë dhe për të modernizuar sistemin e hyrjes në universitetet e vendit u miratuan në më pak se një vit. Por, nënvlerësoi vështirësitë për të reduktuar deficitin buxhetor të Francës dhe borxhin publik në përputhje me rregullat e eurozonës, gjë e cila kontribuoi në vendimin e tij për të rritur taksat e karburantit nëntorin e kaluar.

Sot kundërshtarët e Macronit, nga i gjithë spektri politik, e portretizojnë veten si pjesë e disa lëvizjeve popullore spontane. Por, e vërteta është se shumë nga politikanët që Macron mundi në fushatën e tij fitimtare tani janë jashtë për ta dëmtuar atë.

Për habinë e shumë njerëzve, ish-presidenti François Hollande, të cilit Macron dikur i ka shërbyer, tani inkurajon haptazi “jelekëverdhët” për të forcuar protestat e tyre. Laurent Wauquiez, kreu i republikanëve të qendrës së djathtë, ka veshur një jelek të verdhë. Ndërkohë, kreu i ekstremit të djathtë, Marine le Pen dhe udhëheqësi i ekstremit të majtë, Jean-Luc Mélenchon, ndiejnë që të dy mundësi revolucionare në zemërimin e protestuesve.

Franca s’ka përjetuar një histeri të tillë kundër një udhëheqësi politik në detyrë që nga vitet 1930. Fjalët e dhunshme shkojnë krah më krah me veprime të dhunshme. Dyqane janë shkatërruar dhe grabitur. Ndërtesat publike, zyrat e parlamentarëve, madje edhe prona private të kryetarit të Asamblesë Kombëtare janë shkatërruar nga zjarri. Deputetët janë kërcënuar (duke përfshirë me armë), selitë e gazetave janë plaçkitur dhe më shumë se 1,500 policë janë plagosur.

Si arriti Franca në këtë pikë?

Nuk është sekret që kanalet televizive RT dhe Sputnik të financuara nga Kremlini – të pasuar nga rrjetet sociale dhe stacione të tjera televizive – kanë ofruar platforma që inkurajojnë nxitjen e zemërimit, anti-parlamentarizmin, gënjeshtrat, dezinformimin, racizmin dhe antisemitizmin. Franca duket se po jeton përditë “Dy minuta urrejtje” të Orwellit të vitit 1984. Dëmi material dhe moral në vend është i konsiderueshëm. Por, nuk do të ketë një luftë civile. Një shumicë e qartë dhe e madhe e francezëve janë të irrituar dhe të tronditur nga rritja e dhunës dhe intolerancës. Por, lëvizja e “jelekëverdhëve” nuk ka marrë fund ende dhe koha nuk mund të kthehet pas.

“Debati Kombëtar” i Macronit nëpërmjet takimeve lokale dhe internetit po rezulton të jetë një kundërpeshë të dobishme. Ai vazhdon ta tregojë veten si një debatues vërtet i shquar. Por ky eksperiment unik do të përfundojë më 15 mars. Për hir të demokracisë franceze dhe evropiane, shpresohet që kjo të japë një shtysë të re për reformat shumë të nevojshme që Franca ka pritur për dekada me radhë. /Project Syndicate/BIRN/

Exit mobile version